Kryesuesi i republikanëve në garën për presidencën amerikane, Donald Trump, është zotuar të bllokojë paratë e dërguara në atdhe nga meksikanët që jetojnë në SHBA, deri sa vendi të paguajë për ndërtimin e një muri kufitar.
Manjati i pasurive të paluajtshme pretendon në një memo të publikuar nga “Washtington Post”, se Meksika do të detyrohet të paguajë nga 5 deri në 10 miliardë dollarë, nëse nuk do që të humbasë një burim jetësor të ardhurash.
Ndërtimi i një muri në kufirin që ndan SHBA-të me Meksikën ka qenë një prej premtimeve më të artikuluara që prej ditës së parë të fushatës, me miliarderin njujorkez që pretendon se përdhunues, të droguar e kriminelë po vijnë nga përtej kufirit.
Plani gjeneroi reagime të ashpra, mes të tjerëve edhe nga Papa Franccesku. Biznesmeni është zotuar gjithashtu të deportojë të 11 milionë emigrantët e paregjistruar dhe ka propozuar rritjen e pagesës për vizat dhe anulimin e tyre për meksikanët.
Sipas Bankës Qendrore meksikane paratë e dërguara nga përtej detit prekën vlerën e 24.8 miliardë dollarëve vitin e kaluar, duke tejkaluar të ardhurat nga nafta.
Për Presidentin amerikan, Barak Obama, plani i Trumpit është i pamenduar dhe jofunksional. Ai tha se kjo do të çonte drejt falimentimit ekonominë meksikane duke ndikuar edhe në rritjen e numrit të emigrantëve që do të vijnë për të kërkuar punë në Amerikë./ Top Channel/