Gjykata Themelore në Ferizaj, trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit I.D i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelorë në Ferizaj, akuzohet se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve , dhe të pandehurin I,I për shkak të veprës penale posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge .
Trupi Gjykues i kryesuar nga gjyqtari Ibrahim Idrizi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor fillestar dhe pranimit të fajësisë nga të pandehurit, të pandehurit I.D. i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy (2) vjet dhe dënim me gjobë në shumë prej njëmijë e njëqind (1.100) euro, ndërsa të pandehurit I;I i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej një (1) viti.
I pandehuri I.D akuzohet se në muajin gusht 2018 në banesën e tij i është gjetur sasi e dyshuar narkotike e llojit marihuan me sasi rreth 1.331 kg të ndara në tre qese dhe substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë me peshë 4.05 gr, i pandehuri po ashtu ka pasur në posedim armën e tipit Zoraki, një karikator të revoles dhe gjashtë fishekë të cilat janë konfiskuar nga policia. Ndërsa i pandehuri I.I akuzohet se në muajin gusht 2018, në shtëpinë e tij gjatë kontrollit nga ana e policisë i janë gjetur sasi narkotike e llojit heroinë me peshë 2.33 gr.