Në ambientet e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, sot është mbajtur mbledhja konstituive e Kuvendit të të Rinjve në Ferizaj, strukturë kjo që po themelohet për herë të parë në qytetin tonë, e që për qëllim ka avancimin e rolit të të rinjve në shoqëri, rritjen e pjesëmarrjes të të rinjve në vendimmarrjen lokale si dhe përfaqësimin e kërksave rinore pranë autoriteteve lokale.
Për të përshëndetur këtë ngjarje, nga ekzekutivi dhe legjislativi i Komunës morën pjesë drejtorja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhemile Murati Shabani, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi Bytyçi, si dhe shefi i Kabinetit të Kryetarit të Komunës, Selim Marevci.
Në fjalën e saj përshëndetëse, në emër të ekzekutivit dhe legjislativit të Komunës, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi tha se ndihet e nderuar që në emër të Kryetarit të Komunës, Agim Aliu dhe të kuvendarëve të Ferizajt, t’i uroj punë të mbarë të rinjve në nismat e tyre fuqizuese.
Ajo tutje tha se qeverisja aktuale lokale e ka dëshmuar si asnjë qeveri e mëhershme lokale, se të rinjve i ka mundësuar hapësirën dhe i ka besuar detyra të rëndësishme shtetërore.
” Komuna e Ferizajt, do të jetë në përkrahje maksimale të çdo iniciative të të rinjve të Komunës sonë, ketë e ka dëshmuar në këtë qeverisje, ku kryetari dhe drejtorët e drejtorive kanë moshë të re, poashtu edhe një përqindje e madhe e anëtarëve të Kuvendin e Komunës, janë të moshës së re, kjo do të thotë se të rinjtë kanë përkrahje të madhe nga përfaqësuesit e institucioneve komunale, e poashtu edhe nga qytetarët duke iu dhënë besimin për të përfaqësuar, ashtu edhe ju tani që jeni pjesë e kuvendit të rinjve, do të plotësoni këtë mozaik të përfaqësimit, duke i ndihmuar Komunës sonë me ide, energji, dinamike e kreativitet siç dinë vetëm të rinjtë. Komuna e Ferizajt vetëm në vitin e parë në këtë qeverisje ka realizuar një mori projektesh për të rinjtë. Siguroi buxhetin për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale (Pallatin e Kulturës), siguroi buxhetin për ndërtimin e Pishinës gjysmë-olimpike në Ferizaj, nisën dy salla sportive në Greme dhe Balaj, siguroi fonde shtesë nga MKRS për finalizimin e ndërtimit të Qendrës Rinore, u realizuan rreth 150 aktivitete kulturore, sportive e rinore, për herë të parë në Ferizaj u organizua Dita Olimpike e shumë e shumë projekte që kanë të bëjnë me përkrahjen e rinisë tonë ferizajase” tha Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi.
Me një fjalë rasti, në pjesën ceremoniale të kësaj mbledhje të pranishmëve iu drejtua edhe Kryetari i Kuvendit të të Rinjve në nivel republikan Kastriot Luma, i cili motivoi të rinjtë për nisma në dobi të tyre, si dhe kërkoi angazhimin e të gjithë këtij grupi shoqëror në realizimin më të suksesshëm të aspiratave të tyre në nivel të vendimmarrjes.
Kjo strukturë e përbërë nga 38 anëtarë, pas pjesës ceremoniale, zhvilloi procesin zgjedhor nga ku Kryetare e Kuvendit të të Rinjve në Ferizaj u zgjodh aktivistja e dalluar rinore në Komunën tonë, Vanesë Sadriu.
Ditëve në vijim, do të konsolidohet plotësisht kjo strukturë edhe në pozicionet e nivelet tjera drejtuese. Mbështetëse për këtë nismë, ishte edhe Komuna e Ferizajt, përkatësisht Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.