Në shënimin e 11-vjetorit të Ditës së Kushtetutës të Republikës së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi theksoi se mbi bazën e kësaj Kushtetute, qytetarët janë të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të sigurt të Kosovës, si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i gjithë qytetarëve të saj.
Presidenti Thaçi ka listuar parimet bazë të Kushtetutës së Kosovës, të cilat duhet të respektohen, përkatësisht respektimin e plotë të sundimit të ligjit përmes institucioneve legjislative dhe ekzekutive të saj, sovranitetin, barazinë para ligjit.
“Kushtetuta e Kosovës përcakton qartë bazamentin dhe kornizat e shtet ndërtimit dhe funksionimit të tij. Edhe sot Kosova zotohet për forcimin e shoqërisë multi-etnike. Para pak muajsh institucionet tona implementuan edhe një obligim tjetër kushtetues dhe ligjor, themelimin e Ushtrisë së Kosovës si një ushtri multi-etnike dhe mbi bazën e standardeve të NATO-s, e cila në të ardhmen e afërt do të funksionojë jo në mënyrë parciale, por në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës. Ky është obligim kushtetues dhe unë si president i Kosovës do të respektoj në tërësi në vendimmarrjet e mija vijuese. Po ashtu, ftoj Qeverinë e Kosovës që pa hezitim dhe pa mëdyshje, të respektojë ligjshmërinë në çdo sferë të jetës institucionale, në gjithë Kosovën”, tha Thaçi.
Ai porositi qeverinë po ashtu që të mos ndodhë kompromisi me ligjin në emër të përkatësisë etnike apo lojalitetit politik ditor, në mënyrë që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit
Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, duke kujtuar të kaluarën e lavdishme të Kosovës, ka vlerësuar se Kushtetuta është një dokument që garanton të arriturat për vendin, andaj kërkoi që Kushtetuta të respektohet.
“U ngritëm për të kërkuar të drejtën, për të kërkuar lirinë, dinjitetin dhe sovranitetin si komb i lirë me dinjitet i Evropës sonë. Mbi këtë bazë u ngrit edhe UÇK-ja, mbi bazën e lavdisë të së cilës sot ne gëzojmë shtetin tonë e të pavarur e sovran, Republikën e Kosovës. Po ashtu, edhe këtë Kushtetutë mbi standardet më të larta demokratike, e ndërtojmë dhe e zhvillojmë edhe shtetin tonë të pavarur e sovran”, tha Veseli.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se baza e një shoqërie progresive dhe demokratike është sundimi i ligjit, ndërsa baza e tij është Kushtetuta.