Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me dhjetëra liderë botërorë, ka marrë pjesë në ceremoninë historike të inaugurimit të zgjerimit të Kanalit të Panamasë.
Me këtë rast, presidenti Thaçi ka theksuar se përfaqësimi i Republikës së Kosovës në këtë ngjarje, krahas shteteve tjera të botës, forcon prezencën dhe subjektivitetin ndërkombëtar të vendit tonë.
“Ftesa për të marrë pjesë në ngjarjen më të madhe të Amerikës Qendrore dhe asaj Jugore është një dëshmi se Kosova çdo ditë e më shumë po e forcon subjektivitetin e saj ndërkombëtar, po e konsolidon pozitën e vet në skenën ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi.
Gjatë shënimit të kësaj dite, presidenti Thaçi ka zhvilluar shumë takime me homologë nga shtetet e Amerikës Qendrore dhe asaj Jugore.
Presidenti ka takuar edhe përfaqësues të vendeve që ende nuk e kanë njohur formalisht pavarësinë e Kosovës, duke kërkuar nga ta që sa më shpejtë të marrin vendimin për njohjen e saj, duke iu bashkuar 111 shteteve të botës.
“Jam takuar me presidentë, kryeministra dhe përfaqësues të shteteve nga Amerika Latine që nuk na kanë njohur. Ka një frymë shumë optimiste që të lëvizet drejt një pranimi më të shpejtë të Kosovës, madje edhe te shtetet që deri sot kanë hezituar ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar ai.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur se Kosova po përfaqësohet në çdo cep të botës, përkrah shteteve më të fuqishme të botës. Në ceremoninë e inaugurimit në Panama janë përfaqësuar mbi 60 shtete të botës nga presidentë, kryeministra dhe ministra të Jashtëm.
Kanali i Panamasë është hapur 102 vite më parë. Për të akomoduar anijet e mëdha të shekullit XXI, është bërë zgjerimi i kanalit të vjetër, si dhe është hapur një pjesë e re e kanalit. Të dielën, më 26 qershor, është mbajtur ceremonia e përurimit të pjesës së re të kanalit./Lajm