Një incident me armë zjarri ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në magjistralen Prishtinë-Ferizaj. Policia e Kosovës ka njoftuar se persona të panjohur, të veshur me të zeza kanë shtënë në drejtim të një auto salloni me ç’rast janë dëmtuar gjashtë vetura.
Vlerat e dëmit nuk dihen ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar rreth 16 gëzhoja.
“Raportohet se persona të panjohur të veshur me të zeza dhe me helmeta në kokë duke drejtuar një motoçikletë dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të një auto salloni. Si pasojë e të shtënave janë dëmtuar rreth gjashtë vetura dhe katër xhama të objektit ku vlera e dëmit nuk dihet. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar 16 gëzhoja. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
Rasti është inicuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës”.

