Në një prononcim për KALLXO.com, profesori Sylë Tahirsylaj theksoi se reshjet e borës erdhën nga pjesa veriore e rajonit pas zhvillimit të procesit të inverzionit, që do të thotë se masat e nxehta kanë kaluar mbi masat e ftohta të ajrit.
Sipas Tahirsylajt, këto reshje janë të paqëndrueshme dhe nuk do të shkaktojnë kurrëfarë pengese në komunikacion ose dëmi te pemët.
Nga nesër, sipas ekspertit të meteorologjisë, do të ketë ngritje të temperaturave minimale dhe maksimale në përputhshmëri me pozitën gjeografike të vendit tonë dhe orografinë e vendit.
Temperaturat minimale në viset kodrinore-malore do të jenë minus 3 gradë Celsius, ndërsa në ultësira nga minus 1 deri në plus 2 gradë Celsius.
Ndërsa, sipas Tahirsylajt, temperaturat maksimale gjatë javës do të luhaten ndërmjet 13 e 15 gradë.
Sipas të dhënave meteorologjike të marra nga stacioni vetanak, profesori Tahirsylaj thekson se reshje të shiut nuk do të ketë deri në fund të javës tjetër.
Sipas tij, gjendje e njëjtë meteorologjike mbretëron edhe në rajon.
Pak orë më herët Ministria e Infrastrukturës njoftoi se të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale janë të hapura për qarkullim.