Deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri, ka thënë se do të vazhdojë solidarizimin me popullin e Kosovës derisa të liberalizohen vizat.
Tahiri në “Dossier D” me Fidan Ramën në RTV Dukagjini është shprehur i zhgënjyer që rinia nuk del të protestojë për një kauzë siç është ajo e liberalizimit të vizave.
“Në protestën e fundit, kam parë që në protesta dalin anëtarë të X partisë për rastet që u konvenojnë atyre. Në protestë do të ishte mirë të dalin edhe shumë deputetë, pasi që ata kanë premtuar më tepër se Labinot Tahiri për liberalizimin e vizave”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Deputeti i AKR-së, ka thënë se shqiptarët nuk janë popull që gjuajnë Amerikën me gurë, por ata kanë të drejtë të çohen në këmbë për të kërkuar liberalizimin e vizave.
Labinot Tahiri, i cili përpos deputetit ushtron edhe profesionin e këngëtarit, ka thënë se si pasojë e dorëzimit të pasaportave ka humbur shumë të mëdha të parave.
“Vetëm për festën e Pavarësisë dhe një datë tjetër, në SHBA kam humbur 30 mijë dollar…Pak peshë çon për mua kjo humbje. Dua vetëm t’i them rinisë që të ketë besim”.
Ai ka thënë se përderisa prindi i tij ia ka dalë me 100 marka për gjashtë muaj sa ishte situata e jashtëzakonshme në Kosovë, ai mund të je del edhe me rrogën e deputetit.
“Ende po më duan populli dhe po më ftojnë në koncerte. Por edhe nëse më ndalet muzika nuk më bëhet vonë”, tha ndër të tjera Labinot Tahiri./Telegrafi/