Pas dorëheqjes së anëtarit të PDK-së, Lulzim Aliut, nga Kuvendi i Komunës së Ferizajt, ka reaguar kryetari Muharrem Svarqa, duke thënë se dorëheqja e Aliut është e pasinqertë.
‘’Kjo dorëheqje është vetëm një fazë e re e luftës që ky kuvendar e ka zhvilluar vazhdimisht kundër pushtetit lokal dhe veçanërisht kundër kryetarit të komunës. Është thjesht pjesë e fushatës të cilën PDK e Ferizajt po e intensifikon. Tani që jemi gati në fund të mandatit, kjo braktisje e Kuvendit nuk ka asnjë kuptim tjetër pos ashpërsimit të luftës politike me të gjitha mjetet e mundshme. Një veprim krejt i pasinqertë. I dorëhequri fshihet pas interesave të qytetarëve por në fakt këtë veprim e bën për hesape thjesht partiake dhe personale’’, ka shkruar Svarqa në profilin e tij në facebook.
Kurse drejtori i Urbanizmit në Ferizaj Faik Grainca, duke komentuar në postimin e shefit të tij, tha se dorëheqja e Aliut është rezultat i luftës së brendshme të PDK-së, për kandidaturën për kryetar komune.
‘’ Është e pasinqertë qe kjo luftë të bartet ne institucione.kam mendue se zoti Aliu do te behet pjesë e përpjekjeve tona për Plane sa me te mira urbanistike, për Lulin ndjeva keqardhje qe ai u pozicionue ne krahun e bllokuesve’’, shkroi Grainca, mes gabimeve të shumta drejtshkrimore.
Lulzim Aliu mbrëmë njoftoi se po po jep dorëheqje nga Kuvendi, i cili sipas tij, po shfrytëzohet për pazare.
Arsyetimin për dorëheqje e gjeni më poshtë:
Po dorëhiqem!
Nuk mund të vazhdoj të jem edhe më pjesë e një Kuvendi që ka tjetërsuar krejtësisht rolin e vet.
Nuk dua t’i zhgënjej ata që më votuan për të qenë zëri i tyre aty ku mirren vendimet për ta.
Ky Kuvend, i krijuar me pazare, po voton vetëm me pazare dhe vetëm për pazare.
Me këtë Kryetar komune, i cili ka blerë shumicën e anëtarëve të Kuvendit, qyteti ynë ka rrezik të shkoj drejt kaosit urban e moral.
Përfundimisht, nuk dua të jem vulë që mbulon të bëmat e tij, të bëma të cilat e zhvlerësojnë tejmase shtetin dhe e degradojnë atë në nivel shumë të ulët interesash personale e grupore.
Kjo është protesta ime!