Miratimi për këtë draft me ndryshimet kushtetuese duhet të bëhet me shumicë të cilësuar, pra me 94 vota.
Seanca e sotme nis në orën 10:00, ashtu siç edhe është paralajmëruar. Por, mbrëmë në orët e vona të natës pati një kthesë në konsensusin e arritur mes palëve. Ka qenë një deklaratë e ambasadës amerikane që shprehej kundër kryetarit të PD Lulzim Basha, se ka paraqitur një variant të ri që prish konsensusin.
Faktikisht në deklaratën e ambasadës së SHBA nuk jepej asnjë fakt konkret dhe as nuk paraqitej “propozimi i ri i PD”. Opozita reagoi duke hedhur poshtë çdo pretendim se po përpiqej të bllokonte reformën, ndërkohë që në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi deputetët e PS nuk shkuan, edhe pse PD dhe LSI priste prej më shumë se 2 orësh. Vetë Ylli Manjani i LSI tentoi mbrëmë të sqaronte situatën e krijuar krejt papritur, duke thënë se negociatori i PS i kishte pranuar propozimet e PD një ditë më parë dhe se nuk kishte propozime të tjera të reja.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse gjatë natës ka gjetur zgjidhje kjo çështje, në mënyrë që reforma në drejtësi të miratohet sot me konsensus. Diskutimi për këtë reformë është pika e parë e rendit të ditës, që pritet të nisë me fjalën e krerëve të grupeve parlamentare. Në rast se ende nuk i është dhënë zgjidhje këtij ngërçi, Ilir Meta ka bërë me dije dy ditë më parë se seanca e sotme nuk do të mbyllet pa u miratuar me konsensus reforma në drejtësi.
.