Në zgjedhjet e fundit të mbajtura të dielën në Serbi, nga 250 ulëse në Parlamentin e këtij shteti, vetëm një shqiptar ka arritur ta sigurojë njërën prej tyre.
Fatmir Hasani nga Partia për Veprim Demokratik, është shqiptari i vetëm që do të mbrojë interesat e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, karshi deputetëve serbë.
Matematikisht shqiptarët mund të sigurojnë tre deputetë, por vetëm nëse do të bashkëvepronin, diçka që forcat politike në Luginë po e kanë të pamundur.
Këtë e tha edhe vet Fatmir Hasani në Ora e Fundit në Klan Kosova.
“Është dashur të jemi më shumë politikanë në Kuvendin e Serbisë, së paku tre, por partitë politike nuk patën vullnet e guxim me i hy kësaj pune. Tirana zyrtare provoi t’i bashkojë partitë shqiptare në Luginë, edhe Prishtina zyrtare po ashtu, por nuk arritën t’i bashkojnë”, pohoi Hasani.
“Nuk kemi arritur të bëjmë një dokument dhe një marrëveshje konkrete”.
Deputeti shqiptar në Serbi tha se pa një politikë të organizuar dhe të dirigjuar nga Tirana e Prishtina zyrtare, shqiptarët e Luginës zor se do t’i bashkojnë forcat.
“Derisa të krijohet një program konkret dhe më i thukët nga Tirana e Prishtina problem se do të bashkohemi në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”.
Megjithatë, edhe si i vetëm, Hasani premtoi se do të vihet ballë interesave të shqiptarëve në Serbi, për çka edhe i mori votat.
“Qëllimi jonë është që t’i mbrojmë të drejtat e pakicës shqiptare, sepse shqiptarët janë të lënë anash nga Qeveria qendrore. Unë do të fokusohem shumë në problemet e zhvillimit ekonomik, sepse papunësia është 70 për qind”.
Por për të realizuar gjithë këtë Hasni tha se do të ishte më e lehtë sikur të bëhej pjesë e Qeverisë së re të Serbisë.
Dhe një ftesë nga Aleksander Vuçiq për t’u bërë pjesë e kabinetit të tij deklaroi se do ta pranonte me dëshirë, gjithmonë në funksion të realizimit të interesave shqiptare.
Interesa këto që u zotua se do t’i mbrojë edhe kur të ketë nevojë të përballet me radikalët e Vojsllav Sheshlit, e po qe nevoja edhe me vet Sheshelin personalisht.