Edhe pse Shqipëria dhe Kosova nuk ishin pjesë e këtij botërori që u mbajt në Rusi, prapëseprapë ne shqiptarët ishim legjendat e tij. Duke filluar nga hapja e këtij projekti madhor, ku këngëtarja shqiptare tashmë e njohur në mbarë botën, Era Istrefi, e bëri zyrtarisht të hapur këtë kampionat botëror. Më pastaj ishin djemtë tanë që na dhanë shumë emocione në kombëtaren zvicerane.
Ata treguan edhe një herë sa jemi falënderues ndaj Zvicrës dhe sa e duam ne kombin tonë.
Bota u habit jo vetëm me golin e hatashëm, por edhe me duart e Granit Xhakës, kur ai bëri shqiponjën. Entuziazmin dhe dashurinë e tij për rrënjët e origjinës e kanë habitur mbarë botën. Miliona njerëz u emocionuan nga gjestika e tij atdhetare. Pas tij Xherdan Shaqiri, njëjtë sikur Graniti. Po ashtu edhe lojtarët e tjerë dhanë kontributin e tyre në këtë lojë që na dha sa krenari, aq nder. Kurrë s`do ta harrojmë!
Ishte edhe kapiteni i kombëtares zvicerane, i cili në këtë lojë u bë simboli i dashurisë dhe i miqësisë. Një kapiten që mbron shokët e tij me zemër, duke e bërë edhe ai me duar emblemën.
Politikanë e personalitete të ndryshme e mësuan shqiponjën dykrenëshe nga duart e futbollistëve të shenjtë.
Futbolli është sporti që i ka ngritur gjithmonë shtetet e mëdha, prandaj ky botëror ishte një fat i madh për shqiptarët.
Disave edhe u erdhi habi përse të bëhej shqiponja me duar, kur ata nuk ishin duke luajtur për Shqipërinë, të tillëve duhet t’u themi: vetëm ata që e duan veten, i duan edhe të tjerët.
Futbollistët shqiptarë luajnë me krenari për Zvicrën, ata janë falënderues përjetësisht ndaj këtij shteti që u dha dashurinë dhe u bë atdheu i tyre i dytë.
Prandaj, dolëm fitimtarë nga ky botëror. Treguam kulturë vlerash dhe talent legjendash.
Në futboll, një lojë mbaron dhe tjetra fillon. Nuk ka fund futbolli. Nesër këta futbollistë dhe shumë të tjerë pas tyre do të na falin sërish emocione.
Do të kalojnë vite e vite dhe do të shohim nëpër rrjete sociale njerëz nga tërë bota duke përshëndetur shqiptarët me gjestikën e shqiponjës dykrenare.
Çfarë na mbetet tani:
Të falënderojmë Zvicrën!
Të falënderojmë kapitenin Stephan Lichtsteiner për mbështetje e besnikëri!
Të falënderojmë futbollistët shqiptarë!
Të falënderojmë fansat që mblodhën para për të paguar gjobën që erdhi nga FIFA!
Të falënderojmë sërish futbollistët që këto para u dhanë për humanitet!
Të falënderojmë zotin që kemi sport të tillë që e bashkon botën si në festë!
Çfarë na mbetet tjetër?
Mendoni se është mirë që të bëjmë një ndërtim gjigand si Kulla e Ajfelit, të ngrisim emblemën tonë me dy duar të shqiponjës dykrenare, me beton jo, por me arin e Trepçës ?
Diku në Tiranë, në Prishtinë, në Kukës, ku ishin ato barakat që fatmirësisht nuk janë më…
Pranë këtij gjiganti mund të ndërtohej një ditë një stadium. Do të bëhej një vendtakim i shenjtë, një vend betimi, për ne dhe për miq.
Futbolli na nxit të shpresojmë, prandaj besojmë se një ditë edhe ne kemi një simbol si Kulla e Ajfelit, por me dy duar me shqiponjë.
Hava Kurti-Krasniqi-Ndërmjetësuese për kulturë në Zvicër