Banorët e fshatit Lloshkobare, arsimtarët dhe nxënësit e shkollës së mesme të Ulët “Bilall Shala” kanë shënuar sot 89 vjetorin e veprimtarisë së kësaj vatre të diturisë.
Në këtë manifestim morën pjesë edhe struktura komunale e udhëheqës të Organizatës së Veteranëve të luftës –Dega në Ferizaj.
Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Faruk Guri në fjalën e tij përmendi sakrificat e shumë brezave për të gëzuar lirinë e sotme prandaj porositi nxënësit që t’ia dijnë vlerën e lirisë.
“Para gati 20 vitesh ishte e pakapshme për ne që do të vijë një ditë si kjo, ku do të festojmë të lirë e të punojmë të pa frikësuar, këtë e bëri të mundur gjaku i dëshmorëve prandaj na takon që të punojmë sa më shumë bashkë në institucione, shkolla e kudo tjetër ,në mënyrë që të realizohet amaneti i tyre edhe për zhvillimin e vendit” deklaroi kryesuesi i Kuvendit Faruk Guri.
Ndërkaq edhe kryetari i degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës në Ferizaj Rafiz Sejdiu në fjalën e tij para të pranishmëve tha se dëshmori Bilall Shalla e shumë të tjerë sakrifikuan edhe jetën në mënyrë këta nxënës të jenë të lirë e të lumtur në shkollat ku mësohet vetëm gjuha amtare.
Kurse drejtori i shkollës “Bilall Shala” në fshatin Lloshkobare Ejup Jetishi tha se shkolla që udhëheq, me krenari mban emrin e këtij dëshmori dhe se arsimtarët e nxënësit po punojnë në vazhdimësi të rritet cilësia mësimore.
“Ne jemi krenar që shkolla jonë në vazhdimësi po arrin suksese në shumë fusha dhe po angazhohemi çdo ditë e më shumë që cilësia e nxënësve tanë të jetë sa më e mirë. Mbështetje për punët tona japin në nivel të duhur edhe prindërit e institucionet, prandaj shpresojmë se do të nxjerrim edhe në të ardhmen kuadro mjaft të mira ashtu siç kanë dalë doktorë, ingjinerë e profesor deri më tani nga kjo shkollë” u shpreh drejtori Jetishi.
Shkolla e mesme e Ulët “Bilall Shala” në fshatin Lloshkobare numëron mbi 350 nxënës.