17,11,2024

Shënohet dita e shkollës “Imri Halili”

Must Read

Të premten në fshatin Gaçke është shënuar dita e shkollës fillore të mesme të ulët “Imri Halili”. Të pranishëm në këtë manifestim ishin, kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa me bashkëpunëtoret e tij, prindër, mësimdhënës, por edhe familjarë të dëshmorit.

Me këtë rast të pranishmit i ka përshëndetur, kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili ka thënë se është kënaqësi të qëndroj në mesin tuaj në një ditë feste si kjo, në shkollën që e mban me krenari emrin e dëshmorit Imri Halili, i cili bashkë me plot të tjerë, dha shembullin më të mirë të qëndresës, sakrificës dhe heroizmit për liri.

“Sa herë e kujtojmë këtë qëndresë shembullore, ne frymëzohemi për të qenë më këmbëngulës në realizimin e synimeve tona dhe më të përgjegjshëm për realizimin e idealeve, për një vend të lirë, demokratik e të përparuar, për një vend në të cilin mund të jetohet mirë e me dinjitet. Frymëzohemi për të shtuar përpjekjet, në mënyrë që të realizojmë ëndrrën e dëshmorëve dhe martirëve, për ta shndërruar vendin tonë në një vend modern e të përparuar. Brezi ynë dhe brezat e rinj, siç janë nxënësit e kësaj shkolle, duhet të jemi krenarë dhe të lumtur që jetojmë në një kohë kur mund të shkollohemi pa frikën e keqtrajtimit, të nëpërkëmbjes e të përdhunimit, siç ndodhte vetëm 20 vite më parë. Askush më nuk na torturon për shkak të përkatësisë kombëtare, besimit, ideve apo pikëpamjeve tona. Jetojmë në një kohë kur jemi të lirë për ta ndërtuar jetën, me frytet e punës dhe të angazhimit tonë të përditshëm. Kemi mundësi t’i shprehim të gjitha prirjet dhe aftësitë tona, si dhe frytet e punës sonë këmbëngulëse. Këto janë mundësi, të cilat nuk i kemi pasur vetëm dy dekada më parë, sepse na ishin mbyllur institucionet dhe çdo mundësi për të treguar vlerat tona. Prandaj, duhet të dijmë ta çmojmë dhe t’i japim përmbajtje lirisë së fituar me aq sakrifica. E kjo përmbajtje i jepet jetës sonë të lirë kur ne punojmë së bashku, e mbështesim dhe e duam njëri-tjetrin drejt synimeve të përbashkëta, për një të ardhme më të mirë”, është shprehur kryetari Svarqa.

Ai tutje është shprehur se Vendi ynë dhe komuna jonë sot po ecin drejt zhvillimit dhe përmirësimit të infrastrukturës, si dhe mirëqenies në përgjithësi. Këtë vit në komunën tonë po realizohen dhjetëra projekte, përmes të cilave do të përmirësohet qarkullimi rrugor, hapësirat e institucioneve shëndetësore, furnizimi me ujë dhe higjiena publike.

“Synimet dhe përpjekjet tona janë të orientuara në këtë drejtim. Për të bërë rrugë të mira, qendra të mjekësisë familiare, ujësjellës, shkolla, çerdhe për fëmijët tanë dhe objekte funksionale në shërbim të banorëve të komunës sonë. Mbi të gjitha, pushteti lokal dëshiron të qëndrojë sa më afër jush, t’i kuptojë dhe të përpiqet që së bashku me ju, t’i zgjidh hallet dhe vështirësitë tuaja, që varen nga angazhimi i përbashkët. Në fokusin e qeverisjes lokale, në vazhdimësi do të jetë ngritja e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies në komunën tonë, reformimi i vazhdueshëm i shkollimit, me qëllim të përgatitjes sa më të mirë të gjeneratave të reja. Zhvillimi i shkathtësive për punë, aplikimi sa më shumë që të jetë e mundur i punës praktike dhe përshtatja e programeve mësimore me nevojat e tregut të punës, konsiderojmë se janë nevoja të ngutshme. Sepse ka kaluar koha e shkollimit formal, sa për të marrë një diplomë. Ne tashmë jemi duke përgatitur breza, të cilët pas disa vitesh do të duhej të ishin konkurrentë në tregun evropian të punës. Por për të qenë konkurrent në këtë treg, duhet arsimim cilësor, në kuptimin e përvetësimit të shkathtësive dhe shprehive për ushtrimin e profesioneve të ndryshme. Prandaj, para shkollës sonë, sot më shumë se kurrë më parë, shtrohet nevoja e ngritjes së përgjegjësisë, angazhimit dhe e cilësisë së punës, në mënyrë që të jemi në hap me zhvillimet aktuale në arsimin e vendeve të zhvilluara”, është shprehur Svarqa.

Të pranishmëve me një fjalë rasti i është drejtuar edhe drejtori i kësaj shkolle Arben Halili i cili ka folur për problemet me të cilat po ballafaqohen si shkollë, por edhe për investimet që po bëhen.

Ndërkaq Rafiz Sejdiu, kryetar i shoqatës së veteranëve të luftës së UCK-së, ka folur për jetën dhe veprën e dëshmorit, Imri Halili.

E për pjesëmarrjen e mysafireve të pranishmit i ka përshëndetur Habit Halili babi i dëshmorit.

Në këtë ditë të rënies së dëshmorit u vendos edhe gurthemeli për shtatoren e dëshmorit Imri Halili në qendër të fshatit Gaçke.

Në fund u shfaq një program i pasur kulturo-artistik i përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img