Bosnja, pak a shumë, është në gjendje konstante të krizës politike që nga Marrëveshja e Dejtonit, më 1995, e cila i ka dhënë fund lufës trevjeçare e gjysmë, duke e ndarë vendin në Federatën e Bosnjës, të cilën, pa dëshirë të madhe, e ndajnë boshnjakët dhe kroatët, dhe në Republikën Sërpska.
Por, për dallim nga kundërshtimet e zakonshme të dy entiteteve dhe tri grupeve etnike, kriza aktuale në Republikën Sërpska mund të bëhet e ngjashme me atë të viteve 1997/98, kur opozita, e mbështetur nga sposnorët perëndimorë të paqes dhe me ndihmën e partive boshnjake dhe kroate, ka marrë pushtetin nga Partia Demokratike Serbe (SDS), e cila atëherë drejtohej nga bashkëpunëtorë të ish-udhëheqësit serb të luftës, Radovan Karaxhiq, i dënuar për gjenocid.
Udhëheqës i opozitës atëbotë ka qenë Millorad Dodik. Sot, Dodik dhe Lidhja e tij e Social-demokratëve të Pavarur, me fushatë mediatike që ndjell vitet ’90, akuzojnë opozitën se bën përpjekje të ndezë konflikt dhe përçarje midis serbëve të Bosnjës, me urdhër dhe në interes të partive boshnjake dhe fuqive perëndimore.
Blloku opozitar “Aleanca për ndryshim”, në krye me SDS-në, për muaj të tërë, ka kërkuar dorëheqjen e pushtetit, për shkak të situatës së rëndë ekonomike dhe korrupsionit. Opozita paralajmëron se elita pushtetare do të bëjë gjithçka të mundur për të mbetur në pushtet, edhe pas dhjetë vjetësh qeverisjeje gati absolute në këtë pjesë të Bosnjës. Dodik dhe Republika Sërpska janë përshkruar shpesh si pengesat kryesore të Bosnjës në rrugën e integrimit euro-atlantik, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Mënyra autokratike e qeverisjes së Dodikut, siç cilësohet nga shumë vëzhgues, dhe premtimet e papërmbushura ekonomike kanë çuar në dobësimin relativ të pozicionit të tij dhe në rënien e vazhdueshme të mbështetjes në zgjedhjet lokale më 2012 dhe në ato të pëgjithshme më 2014.
Opozita me ish-kryeministrin e Republikës Sërpska, Mlladen Ivaniq, nga Partia e Përparimit Demokratik, ka arritur të sigurojë vendin e përfaqësuesit serb në Presidencën trepalëshe të Bosnjës më 2014 dhe ka nisur të zbatojë një politikë më pragmatike dhe konstruktive sa i përket ekonomisë dhe reformave në institucionet e përbashkëta në Sarajevë.
Opozita akuzon Dodikun se qëllim i vërtetë i politikës së tij shtrënguese dhe i konfrontimit me Perëndimin – kryesisht duke u kërcënuar se do të mbajë referendum për pavarësinë e Republikës Sërpska – është të tërheqë vëmendjen nga problemet reale që ndeshin qytetarët, e ato janë: papunësia dhe korrupsioni.
Dodik, gjatë dy dekadave, është shndërruar nga i preferuari i Perëndimit, i cili ka kritikuar ashpër Karaxhiqin dhe presidentin e dikurshëm të Serbisë dhe Jugosllavisë,Sllobodan Millosheviq, në një aleat të besueshëm të presidentit rus, Vlladimir Putin, i cili i quan “tradhtarë” të gjithë ata që vënë në pyetje politikën e tij dhe mënyrën e qeverisjes në Republikën Sërpska.
Por, për fatin e tij të keq, aleanca me Putinin nuk i ka sjellë përfitimin e pritshëm ekonomik si dhe pavarësinë nga Perëndimi dhe institucionet kreditore ndërkombëtare. Për shembull, rafineria e naftës “Bosanski brod”, e cila i është shitur kompanisë shtetërore ruse Njeftegazinkor Rusia, është e mbytur në borxhe.
Po ashtu, kredia e shumëpritur nga Rusia, në vlerë prej 700 milionë eurosh, nuk është materializuar kurrë, dhe vrimat e buxhetit do të mbushen me paratë e marrëveshjes “standby” me Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili ka vënë si kusht kryesor mbylljen e bankave problematike në Republikën Sërpska.
Dodik, udhëheqësin e opoziës, Mlladen Bosiq, e quan mercenar dhe tradhtar, i cili, sipas tij, është i gatshëm të shesë interest e Republikës Sërpska dhe të vihet në shërbim të politikanëve boshnjakë në Sarajevë dhe të politikës turke, vetëm për të marrë pushtetin.
The post Serbët kundër serbëve appeared first on Lajminet.