21,12,2025

Senati amerikan mund ta japë në janar jeshilen për futjen e Malit të Zi në NATO

Must Read

Aleanca zyrtarisht e miratoi kërkesën në konferencën e saj të korrikut në Varshavë. Deri tani, 19 nga 28 aleatët e NATO-s e kanë miratuar atë zyrtarisht. Miratimi nga ligjvënësit e Shteteve të Bashkuara mund t’u sinjalizojë të tjerëve për t’i dhënë dritën e gjelbër zgjerimit nëpërmjet veprimeve të tyre legjislative.

Në një intervistë me shërbimin serb të Zërit të Amerikës, Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, tha se ai shpreson se anëtarësimi i vendit të tij në NATO do të formalizohet në gjysmën e parë të vitit 2017.

“Për ne është e rëndësishme që Senati amerikan të ratifikojë Protokollin e Anëtarësimit”, tha ai.

“Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë një partner vërtet i vlefshëm në mbështetjen e reformave dhe integrimit të Malit të Zi në institucionet transatlantike. Ne jemi mirënjohës për këtë partneritet, i cili ka qenë i rëndësishëm për zhvillimin e përgjithshëm të Malit të Zi. Dhe unë nuk dyshoj absolutisht se Senati amerikan do të ratifikojë protokollin për anëtarësimin e Malit të Zi me shumicë dërrmuese”, shtoi më tej Vujanoviq.

Rusia e kundërshton zgjerimin e NATO-s dhe rrjedhimisht edhe pranimin e Malit të Zi. Moska dyshohet se është përfshirë në një komplot të dështuar për grusht shteti në tetor për të instaluar një qeveri pro-ruse dhe penguar zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Pranimi i Malit të Zi do të ishte i pari pas anëtarësimit të Kroacisë dhe Shqipërisë në vitin 2009.

Ekspertët e sigurisë evropiane janë disi të shqetësuar nëse politika e presidentit të zgjedhur Donald Trump ndaj Rusisë do të ndikojë negativisht në kërkesën e Malit të Zi për t’u pranuar në NATO.

Por Presidenti i Malit të Zi beson se politika e administratës Trump ndaj Ballkanit ka të ngjarë të mbetet e fokusuar në stabilitetin, zhvillimin ekonomik dhe integrimin e rajonit në BE dhe në NATO. Ai gjithashtu shpreson se marrëdhëniet e Malit të Zi me Rusinë do të përmirësohen pasi vendi zyrtarisht të vihet nën flamurin e NATO-s.

“Në një farë mënyre ne jemi tashmë në NATO”, tha Vujanoviq. “Rusia ka shprehur kundërshtimin e saj të njohur për zgjerimin e NATO-s. Mali i Zi duhet të jetë i durueshëm dhe të presë derisa të bëhet zyrtarisht anëtar i plotë i NATO-s. Pas kësaj, unë shpresoj se marrëdhëniet tona me Rusinë do të përmirësohen, sepse Rusia bashkëpunon dhe ka marrëdhënie të mira me shumë vende të NATO-s”./VoA

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Ferizaj: Gjobiten dy kompani transportuese për ndotje të rrugës magjistrale

Policia raporton se dy kamionë transportues me targa të huaja, të angazhuar nga kompani, janë ndaluar dhe ndëshkuar nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img