Duke parë se një pjesë e drejtorëve të Arsimit dhe atyre të shkollave kanë nisur t’i shtojnë presionet ndaj mësimdhënësve për kompensimin e orëve të humbura, SBASHK u është drejtuar zyrtarisht kryetarëve të komunave të Kosovës duke ua bërë me dije se duhet zgjedhur dialogun e jo presionet e urdhrat, pasi me presione vetëm sa mund ta përkeqësojnë situatën në arsim.
“Duke parë se javët e fundit është bërë një çrregullim i madh i procesit arsimor në disa Komuna të Kosovë, e këtë çrregullim e ka krijuar vendimi i ministrit z.Shyqiri Bytyqi për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës, SBASHK-u si përfaqësuese i punonjësve të arsimit të komunave tuaja duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin mbi organizimin Sindikal Nr. 04/L-011, Ligjin mbi grevën nr Nr. 03/L-200 dhe Statutin e SBASHK-ut, si dhe Kontratën Kolektive të Arsimit nënshkruar nga MASHT dhe SBASHK, më 18.04. 2017, ndjejmë për obligim që t’ju drejtohemi me këtë shkresë duke pasur parasysh të gjithë drejtorët e drejtorive arsimore janë të emëruar nga ju dhe normalisht për punën e tyre duhet t’ju raportojnë juve. Gjithashtu edhe drejtorët e shkollave ishte dashur t’i raportojnë nivelit komunal. Ditëve të fundit një pjesë e tyre kanë ndërmarr një fushatë të presionit të mësimdhënësve për ti detyruar që t’i zëvendësojnë orët e humbura gjatë grevës e duke u mbështetur në vendimin e MSHAT-it, të cilin vendim SBASHK-u e ka kontestuar dhe e ka dërguar në gjykatë për ta vlerësuar ligjshmërinë e tij sepse ne vlerësojmë me të drejt se është vendim i pa bazuar në Ligj, pasi që asnjë ligj apo dokument juridik valid i Republikës së Kosovës, e as normë ndërkombëtare nuk ekziston që thotë se orët e humbura gjatë grevës duhet zëvendësuar”, thuhet, veç tjerash në këtë shkresë.
SBASHK thotë se nëse ky presion në disa Komuna vazhdon edhe gjatë këtyre ditëve, por edhe gjatë pushimit pranveror, atëherë mund të shpallë grevë të përgjithshme duke kërkuar tërheqjen e vendimit për zëvendësimin e orëve si dhe përgjegjësinë ndaj atyre që kanë ushtruar presion.
“Kjo grevë mund të prodhojë edhe ditë të tjera të humbura të mësimit, përveç këtyre 15 ditëve që janë humbur gjatë grevës”, paralajmëron SBASHK.