Këtë për Alsat M e konfirmoi edhe zv/kryeministri për çështje ekonomike Vladimir Peshevski. Në këtë samit, Maqedoninë e përfaqësoi kryeministri Emil Dimitriev, por vendi nuk është përmendur rreth projekteve që BE-ja planifikon t’i financojë në rajon. As Peshevski nuk konfirmoi nëse janë të sakta informacionet se projekti i vetëm nga vendi nuk mori mbështetjen financiare. Prandaj 100 milion euro për tre projekte infrastrukturore hekurudhore do të marrin Shqipëria, Kosova dhe Serbia. Shqipëria me para evropiane do ta rehabilitojë hekurudhën Tiranë – Durrës, si dhe do të bëjë rikonstruksionin e aeroportit Rinasi.
“Në tre projektet që do të financohen pas samitit, njëri prej projekteve është ai i hekurudhës. Ne jemi shumë të lumtur që u tregua serioziteti dhe vlerësimi i lartë për Qeverinë shqiptare rreth programimit të kësaj faze. Por, jemi edhe më shumë të lumtur që porosia jonë nuk është ndërprerje e procesit të integrimit në BE”, deklaroi Edi Rama, Kryeministrë i Shqipërisë.
Përveç çështjeve infrastrukturore, sipas konstatimeve në Paris, janë të rëndësishme edhe çështjet tjera ekonomike si rritja e BPV-së dhe rritja ekonomike e të gjitha vendeve të Ballkanit perëndimor, si dhe bashkëpunimi i ndërsjellë ekonomiko-tregtar. Sipas Kancelares Gjermane Angela Merkel, Bregziti nuk do t’i përkeqësojë gjasat e vendeve të Ballkanit perëndimor që të bëhen anëtare të plotfuqishme të BE-së.
“Perspektiva e tyre nuk ndryshon. Të gjitha premtimet e dhëna këtyre vendeve duhet të jenë të plotësuara edhe pas “Jo”-së britanike”, tha Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë.
Merkel tha se ekzistojnë dallime të mëdha nga vendi në vend. Sipas saj, disa vende si Maqedonia stagnojnë, e disa përparojnë me hapa të mëdha. Se ka shumë punë para të gjitha vendeve kandidate për në BE konfirmoi edhe kryeministri serb Aleksandar Vuçiq.
“Para nesh ka shumë punë, shumë obligime dhe mund. Por, më duket se kemi një perspektivë shumë të qartë dhe të sigurt evropiane”, u shpreh Aleksandar Vuçiq, kryeministër i Serbisë.
Në Paris në fokus ishin të rinjtë. U nënshkrua marrëveshje për zyrë rajonale për të rinjtë me seli në Tiranë. Sipas shembullit të zyrës gjermano-franceze, edhe të rinjtë e Ballkanit në këtë mënyrë do të duhej të njihen dhe bashkëpunojnë më mirë. Konferenca e radhës për Ballkanin perëndimor do të mbahet vitin e ardhshëm në Itali.
.