Pikërisht në Ballkanin e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar u qartësua Europa e pas luftës së ftohtë. Shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë bindi atëherë presidentin e ShBA-së, Bill Clinton, që të shtyjë kah lindja zgjerimin e NATO. Ndërsa, frika nga nacionalizmi shtyri liderët europianë drejt zgjerimit të Bashkimit Europian.
Sot, gjasat që Ballkani të jetë arenë ku dramatikisht do të testohet qëndrueshmëria e kësaj Europe janë shumë të mëdha, shkruan FT, transmeton Klan Kosova.
Ndaj nuk është aspak e habitshme që regjioni ishte në agjendën e samitit të BE-së javën e shkuar. Por megjithëse reagimi i Europës është i goditur në kohë, ai është i dobët njëkohësisht. Kumti se dera e Unionit është e hapur për vendet e regjionit nuk peshon fort. Për ta përshtatur një shaka të njohur tashmë, dallimi mes optimistit dhe pesimistit në integrime europiane është se optimisti beson se Turqia do t’i bashkohet bllokut gjatë presidencës së Shqipërisë, ndërsa pesimisti beson se Shqipëria do të bëhet pjesë e tij gjatë presidencës së Turqisë. Shumë serbë, shqiptarë, maqedonas dhe bashnjakë janë skeptikë jo vetëm për të ardhmen e vendeve të tyre në Europë, por edhe për të ardhmen e vet Europës.
Ballkani i shekullit XXI ka nisur t’i ngjajë frikshëm atij të XIX-të, me një dallim të rëndësishëm. Në shekullin e XIX-të, Rusia dhe Turqia ishin rivalë të paepur në kërkim të ndikimit regjional, ndërsa Gjermania, Austro-Hungaria dhe Britania synonin t’i ndajnë. Sot këto dy fuqi janë bashkuar në tentativën e tyre për të reduktuar ndikimin e BE-së në Ballkan.
Moska dhe Ankaraja po politizojnë tensionet etnike dhe fetare në Ballkan. Prezenca ruse dhe turke në aspektin politik, ekonomik dhe të inteligjencës në Ballkan nuk kufizohet vetëm në Shqipëri dhe ish-Jugosllavi, por shtrihet edhe në Bullgari dhe Greqi, shkruan FT, transmeton Klan Kosova.
Opinioni publik po ashtu po lëvizë shqetësueshëm për perëndimin. Në pyetjen e anketës së Gallup International, se cilës fuqi ushtarake do të duhej vendi i tyre t’i drejtohej në rast konflikti, shumica e turqve, serbëve dhe bullgarëve, si edhe grekëve, janë përgjigjur: Rusisë. Kjo megjithë faktin se Truqia, Greqia dhe Bullgaria janë anëtare të NATO dhe Serbia synon integrimin në Bashkimin Europian.
Situata në terren diktohet nga ekonomitë e pazhvilluara me shkallë të lartë papunësie dhe regjime joliberale, nga liderë që më parë do të prisheshin me Europën sesa të hiqnin dorë nga pushteti. Opinioni publik, në anën tjetër, është kombinim eksploziv i frustrimit, konfuzionit dhe dhëshpërimit. Eksodi nga regjioni në dy dekadat e fundit i ka lënë shoqëritë pa fuqi për të shtyrë përpara ndryshimin. Dhe kriza e fundit e refugjatëve, bashkë me frikërat demografike, ka krijuar një ndjenjë të pashqitshme mosshprese dhe pesimizmi.
Kriza e pazgjidhur politike në Maqedoni, grusht-shteti i dështuar në Mal të Zi dhe zhurma e vazhdueshme për referendum në Republikën Serbe, nga serbët e Bosnjës, japin pasqyrë të së ardhmes së rajonit, shkruan FT, transmeton Klan Kosova.
Bashkimi Europian është partneri kryesor tregtar i Ballkanit dhe njerëzit që ikin ëndërrojnë të bëhen qytetarë të Gjermanisë, apo Italisë, më shumë sesa të Moskës ose Ankarasë. Por kjo s’e mban dot të sigurt rajonin në sferën e ndikimit të Unionit. As integriteti i Bosnjës a Maqedonisë, por as ngrohja e raporteve Kosovë-Serbi nuk duhet të merren për të mirëqena.
Sot europianët nuk mund të mbështeten në ndihmën e ShBA-së për të mbajtur stabilitetin në Ballkan. Regjioni nuk do të jetë kurrë prioritet për Donald Trump, ndërsa ai refuzon të mbrojë myslimanët në atë pjesë, rol që ShBA luajti në fund të shekullit të shkuar, shkruan FT, transmeton Klan Kosova.
Mungesa e interesimit të Washtington tregon pse Rusia po synon ta sfidojë NATO-n në disa nivele në Ballkan, dhe jo në vendet baltike. Dhe është pikërisht ai trualli ku Recep Tayyip Erdogan mund të ketë më shumë sukses në betejën e tij me Europën.
Ndaj do të ishte naive për Unionin të besojë se mund të rifitojë ndikim në Ballkan vetëm duke përsëritur komentet për integrim, ose duke cuar pak më shumë para në regjion.
Bashkimi Europian duhet të jetë i gatshëm ta bëjë Ballkanin prioritet gjeopolitik dhe ta strukturojë konfliktin politik atje. Nëse nuk e bën këtë gjë, ndikimi i tij në regjion së shpejti do të marrë fund.