26,12,2024

RRUGA ‘HYRË EMINI’ NË PRISHTINË

Must Read

Shkruan : Gazmend Bytyqi 

E po tashmë është bërë modë, dhe shumë patriotike madje, të flasësh e të shkruash për luftën e legjendarët e luftës, natyrisht me konotacion negativ, si uzurpues, ngulfatës të mendimit hiperkozmopolitan.

15683480_10207708382135460_1675969784_n

Kështu, sot, te Koha Ditore, Enver Robelli, gazetar, analist, opinionist dhe sigurisht i gjithëdijshëm (sipas mendjes së tij!), paska identifikuar një problem shumë të madh rreth emërtimit të rrugëve në Prishtinë.
Në mesin e 2000 apo 3000 emrash e rrugësh, ai e paska gjetur rrugën Hyrë Emini në Prishtinë. Dhe, për çudi, përmes këtij emri ky gazetar paska botuar një shkrim ku identifikon një problem ‘krucial’ në qytetin e Prishtinës. Shkrimi fillon me helmin e gazrat, që janë në Prishtinë e në rrugën Garibaldi, dhe që, çuditërisht, emri i Garibaldit po i mbijetonte këtij tymi e helmi në rrugët e këtij qyteti, porse e pamundur të mbijetojë këtë ajër e këtë vend emri ‘Hyrë Emini’, që, për mua e shumë ushtarë të UÇK-së, ishte ‘Mira’. Nga burimet publike ky i gjithëdijshëm gazetar(!) paskësh mësuar se ajo paskësh qenë grua trime më fletë, ajo paskësh luftuar për bashkimin kombëtar dhe në pjesën e fundit të shkrimit ajo disi sikur u paskësh shpallur luftë shumë shkrimtarëve me emër…
E në vend se të skuqet për injorancën e tij, kur bëhet fjalë për rrjedha e personalitete kombëtare, ky z. Robelli tashmë e paska formësuar teorinë e tij super-intelektuale se të gjithë dëshmorët e luftës së fundit, siç thotë ai në shkrim, të gjithë këta dëshmorë (megjithëse ai nuk shkruan ose i pengon të thotë e të shkruajë fjalën dëshmorë!?), të vetmin mjet paskan pasur kallashnikovin, e rrallë apo hiç pendën.
E po, ju, të gjithëdijshmit, edhe këto gjëra i dini, i njohët të gjithë dëshmorët, invalidët e veteranët dhe natyrisht se ata s’dinë të shkruajnë sipas jush. Të vetmin mjet e paskan pasur kallashnikovin!
As unë ndoshta nuk do të shkruaja, apo të merrja mundimin të shkruaja, sikur të pritja që shumë nga njerëzit ‘Legjendarë të Luftës’ të reagonin në mënyrën më të mirë të mundshme, por e di që kjo nuk do të ndodhë. Prandaj, unë, si një ushtar krejt i zakonshëm i luftës së UÇK-së, më duhet t’ju tregoj juve të gjithëdijshmëve gazetarë, si Enver Robelli, se kush ishte Hyrë Emini – ‘Mira’.

15645248_10207708382215462_74834776_n
E para – termi grua, që keni përdorur në shkrim është injorancë juaja, derisa ishte e pamartuar – ajo ishte vajzë.
E dyta – ajo ishte një ushtare e zakonshme e këtij vendi, sikur shumë të tjerë, ajo ishte vërtet trime me fletë, e jo siç e përshkruani ju, me ironi… madje po ju siguroj që ajo ishte shumë më trime se ju e unë, që po shkruajmë për të.
E treta – sipas jush, Enver Robelli, ajo nuk paskësh shkuar për Bashkimin Kombëtar në tri luftëra, si ajo e Kosovës e Preshevës dhe e Maqedonisë. Këtë mendim jam i sigurt se ‘Mira’ s’ta falë, sepse kishte lexuar shumë më shumë se unë që po shkruaj, e garant më shumë se gazetarë të gjithëdijshëm që po trajtojnë fenomenin e luftës me ndjenjën e inferioritetit, e që shpjegohet se ata paskan mbetur keq, se keq i paskan lënë njerëzit që bënë luftën, njerëzit që u vranë në luftë, njerëzit që me vetë-vdekjen e tyre deshën t’u jepnin hapësirë të shkruanin pa frikë edhe për vetë ata.
E katërta – ajo (edhe pse ushtare e UÇK-së) s’ishte kurrë kundër asnjë shkrimtari apo artisti, ngase bota e saj ishte art e letërsi, e në mesin e të tjerëve (ushtarë të UÇK-së) mund të fliste me orë të tëra për klasikët botërorë apo për letërsinë moderne e postmoderne. Ajo të recitonte përmendsh Jesenin, Bukovski, Allan Poen apo Bajronin, por ajo, po ashtu, e dinte gati se përmendsh Lahutën Malcis, admironte Shkrelin, Podrimen, Agollin, Arapin dhe shumë poetë e krijues eminentë shqiptarë e botërorë.
Atë e dallonte diçka shumë e veçantë nga ne të tjerët, ajo ishte femër, por asgjë s’ua linte mangut ‘burrave’. Dhe kur ne, burrat, pas luftës së UÇK-së në Kosovë, nuk e vazhduam betimin e dhënë në luftë, ajo s’bëri të njëjtën gjë, por i vazhdoi edhe dy luftëra të tjera, duke e përmbushur në plotësi betimin e ushtarit të UÇK-së.
Këto ishin krejt pak të dhëna, në vija të trasha, për Hyrë Eminin – ‘Mirën’.
Unë më së paku jam përkrahës i Vetëvendosjes, por në këtë rast them – i lumtë komisionit për emërtimin e rrugëve në Komunën e Prishtinës, jo vetëm për emrin, por edhe për simboliken që ka emri i saj. Hyrë Emini ‘Mira’, përveç se ishte Heroinë, ajo ishte dhe mbetet mishërim i idealeve në një trup femre që, para ëndrrave, dashurisë, familjes, karrierës kishte edhe një dashuri më të madhe – dashurinë ndaj Kombit, që z. Robelli duket ia ka errësuar (nëse e ka ndier ndonjëherë!) tërësisht kozmopolitizmi i shpifur. Për këtë dashuri ajo mori pjesë në tri luftëra dhe nëse dikush frikohet tani të flasë për Bashkimin Kombëtar vetëm le ta kujtojë emrin Hyrë Emini ‘Mira’. Emri i saj në Prishtinë jo vetëm që do t’i trimërojë krijuesit e tashëm, por do t’u kujtojë edhe brezave të ardhshëm se dikur na ishte një vajzë e re, intelektuale, që dinte të shkruante e të krijonte më mirë se shumë gazetarë hiper-kozmopolitanë, që kanë mbetur e do të mbeten ‘të gjithëdijshëm’ e trima, po edhe që frikohen nga historia e Kombit të tyre.
Jam i sigurt se plot ‘shkrimtarë’, ‘gazetarë’, nuk e kuptojnë dhe nuk e kanë as aftësinë për ta kuptuar dashurinë që i kapërcen nevojat e ngushta personale, por s’po kuptoj ku po e gjejnë këtë ‘aftësi’ për të vjellë mbi gjithçka kombëtare që u krijua me sakrificë e gjak. E kuptueshme se të gjithëdijshmit, si Enver Robelli, nuk kuptojnë e as nuk duan të kuptojnë (krahas faktit që nuk duan e as nuk duan të dinë), sepse heroina e heronj, sipas tyre, mund të jetë gjithkush e gjithçka, por vetëm shqiptarë – JO!? Kështu ka gjykuar e gjykon gjithmonë shpirti i robit!

P.S.
Pata nderin që e njoha një vajzë si Hyrë Emini ‘Mira’, edhe që ishte nga Ferizaj, ashtu si unë, por ajo ishte më shumë se të gjithë ne që po shkruajmë për të. Emri i saj do ta nderojë jo vetëm Prishtinën, por gjithë Kombin tonë.

Shkruan : Gazmend Bytyqi 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img