Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, siç duket nuk do të mundë të gëzojë shumë gjatë rrogën marramendëse që ia ka mundësuar vetes. Kjo pasi që Agjencia Kundër Korrupsionit e ka shpallur një vendim të tillë të jashtëligjshëm. E kjo nuk po i bën përshtypje të parit të Qeverisë që vlerëson se gjithçka është bërë në përputhje të plotë me ligjin. Në anën tjetër Vetëvendosja e ka dërguar këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese.
AKK-ja dje njoftoi opinionin se zyrtarët e lartë publikë (kryeministri, zv.kryeministrat, ministrat dhe zv.ministrat) kanë vepruar ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, konkretisht me konfliktin e interesit, rast për rast si dhe me shumicën e dispozitave që përcaktojnë ‘Parimet e veprimit dhe mosveprimit të zyrtarit të lartë publik’.
Sipas tyre, ky vendim nuk konsiderohet konflikt interesi vetëm nga ata të cilët janë përfitues.
“Vendimi i Qeverisë i datës 20.12.2017 nuk mund të cilësohet si konflikt interesi për të gjithë ata të cilët janë përfitues nga nxjerrja e këtij vendimi. Konflikti i interesit është paraqitur tek zyrtarët e lartë të cilët me votën e tyre kanë ndikuar që Vendimi të jetë në interes të tyre për përfitime personale”, ka thënë AKK-ja.
Rekomandimi i tyre ka qenë që ky vendim të kthehet në rishqyrtim, duke shfrytëzuar mënyra të tjera ligjore që nuk bien ndesh me Ligjin për Parandalim të Konfliktit të Interesit dhe legjislacionit tjetër relevant që është në fuqi.
Reagim të menjëhershëm ka pasur nga Lëvizja Vetëvendosje. Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se vendimin e Haradinajt e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
Haxhiu vlerëson se ky vendim i kryeministrit është jokushtetues, për shkak se është ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit si dhe është në mospërputhje me gjendjen socioekonomike në vend.
“Pas vendimit të drejtë të AKK-së edhe Gjykata Kushtetuese duhet së pari të vendosë për masë të përkohshme, pra ta pezullojë këtë vendim, deri në shfuqizim të tij!”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
E opinoni i AKK-së dhe dërgimi i vendimit në Gjykatë Kushtetuese nuk po i bën përshtypje Qeverisë.
Nga Zyra e Kryeministrit bëjnë të ditur se ky vendim është marrë në përputhje të plotë me ligjin.
“Sot e kemi pranuar një opinion nga Agjencia Kundër Korrupsionit, i cili e shtjellon çështjen e vendimit të Qeverisë për nivelizimin e pagave të një kategorie të zyrtarëve dhe si i tillë ky opinion është më tepër udhëzues dhe në këtë aspekt Qeveria e Republikës së Kosovës është në proces të përgatitjes së një përgjigje e cila do të sqarojë se vendimi i Qeverisë është në përputhje të plotë me Ligjin”, tha këshilltari për media i kryeministrit Haradinaj, Halil Matoshi.
E sa i përket dërgimit në Gjykatë Kushtetuese, ai thotë se nuk dihet se a do të shqyrtohet kërkesa në fjalë.
Sherrin kësaj rritjeje përveç qeveritarëve po ia shohin edhe gjyqtarët, prokurorët e zyrtarët e administratës në vend.
Express ka raportuar në vazhdimësi se rritja e rrogave ka ngritur pakënaqësi të mëdha si në sektorin e arsimit edhe në atë të shëndetësisë. Këta të fundit kanë vlerësuar të padrejtë rritjen vetëm për 4% për këta sektorë, kur në të njëjtën kohë ka pasur rritje marramendëse për kategori të caktuara deri në 100%. /A.K /Express/