Duket deri tani, se i ngjan një gruaje të zakonshme të atyre anëve, por Lula është një ndër të fundmet burrnesha të Shqipërisë, edhe pse nuk ka veshjen karakteristike të burrneshave. Historia e saj është shfaqur në filmin “Lulet e egra” të hënën në COD (Qendra për Hapje e Dialog në Kryeministri) si pjesë e programit “Reflecting Albania” të festivalit të Filmit Dokumentar DocuTIFF. Fathia Bazi është holandezo-marokene. Ajo vjen si regjisore e një filmi që pati premierën botërore në COD DocuTIFF. Filmi “Lule të egra” është ekranizim i jetës së bareshës dhe virgjëreshës shqiptare, Lule Bib Luka.
Tradita e hershme shqiptare që tashmë është në zhdukje, ashtu si vetë jeta në male u jepte të drejtën grave të shpalleshin burrnesha, mbasi betoheshin se nuk do të martoheshin kurrë dhe merrnin rolin e burrit. Lulja në film tregon pse la jetën e saj si grua, vitet me të vëllanë dhe ditët e fundit kur i duhet ta braktisë jetën e burrneshës. Tani, pas më shumë se 60 vitesh si e tillë, ajo lë fshatin përgjithnjë dhe merr rrugën drejt qytetit, pasi jeta mes maleve ka filluar t’i bëhet e papërballueshme. Në verën e fundit të saj në fshatin Tuç të Pukës, Lulja na prin me skenat e këtij dokumentari në vende shumë domethënëse për jetën e saj. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, regjisorja Fathia Bazi tregon si u njoh me Lulën dhe si realizoi filmin.
Si e njohët Lulen?
Historia fillon në vitin 2014. Kisha dëgjuar për burrneshat dhe isha shumë e interesuar për këtë traditë shqiptare, megjithëse në disa vende të botës ka tradita të ngjashme në kultura të ndryshme patriarkale, ku gratë duhen të bëjnë disa gjëra të veçanta që të jetojnë sipas ideve të tyre. Ndërsa kërkoja të gjeja këto gra, dikush më tha (Dedë Peraj) se mund të më tregonte një burrneshë që ishte ndryshe nga të tjerat dhe nuk kishte dalë në asnjë gazetë më parë.
Por Lula vishet si grua; si e shpjegon këtë?
E kam pyetur, ‘pse je burrneshë dhe nuk vishesh si një burrë, por mban rroba tradicionale mirditore?’. Ajo më tha se, për të, të qenit burrneshë është diçka që e ke në kokë dhe jo në rroba. Dhe mendova se ishte interesante. Ajo zgjodhi të rrinte si një virgjëreshë që të ndihmonte të vëllain. /GSh
The post Rrëfimi i Lules, burrnesha e fundit appeared first on Lajminet.