25,04,2024

Rexhep Rifati: Pikërisht sot 55 vjet në qytetin e Ferizajt, themeluam AKV “Kastriotët”

Must Read

Edhe sot e 55 vjet (18 Qershor 1967 ) më parë ishte ditë e shtune, kur në sallën e Kuvendit të Ferizajt i vumë gurthemelin këtij ansambli, që ndër vite do të bëhet një nga grupet e shquara artistike në Kosovë.- Kastriotët janë rrjedhojë dhe rezultat i një grupi normalistësh, të përkrahur edhe nga qytetarët e Ferizajt. Ndaj edhe me këtë rast nga pozita e themeluesit dhe kryetarit të parë dua të shprehi mirënjohje të gjithë atyre që vepruan brenda dhe në përkrahje të këtij ansambli, duke kujtuar me pietet ish- anëtarë që nuk janë ma në mesin tonë, por që puna e tyre ka lënë vulë të pashlyeshme në jetën e “Kastriotëve.- Më gëzon fakti se këtë vit grupi i folklorit është kurorëzua me disa çmime të para në festivale brenda dhe jashtë Kosove, ndaj edhe shfrytëzoj rastin që të gjithë anëtarëve aktiv tua uroj këtë jubile. “Gëzuar 55 vjetori i themelimit të Kastriotëve!”    

Shkruan: Rexhep Rifati . Kryetar i parë i Akv Kastriotet

Në 55- vjetorin e themelimit të ansamblit muzikor të “Kastriotëve” të Ferizajt dua të shpalosi vetëm disa kujtime nga pikënisja e kësaj shoqërie kulturore, e cila për pesë dekada e gjysmë i bëri ballë shumë sfidave e stuhive dhe arriti të mbijetojë, në rend të parë në saje të një vullnetit dhe entuziazmi të anëtarëve të këtij ansambli, duke e afirmuar qytetin e Ferizajt edhe në mjediset tjera të Kosovës, jashtë saj, e madje edhe në përmasa ndërkombëtare.

Me këtë rast ndjej kënaqësi të veçantë që një pjesë të aktivitetit tim, derisa isha në Ferizaj, ia kushtova jetës kulturore dhe asaj  studentore. Në kulturë, duke u përfshi aktivisht në themelimin e Shoqërisë kulturo-artistike „Kastriotët“ në Ferizaj, kur edhe me rastin e formimit në vitet e para të mëkëmbjes , ( më 1967) isha kryetar i parë në këtë shoqëri, dhe kryesisht merresha me çështje organizative, siç ishte sigurimi i lokalit, sepse atëbotë nuk na lejonin që të ushtronim thuaja se në asnjë objekt shoqëror.

Paraprakisht me Qamil Bytyqin e Ramadan D. Ramadanin idenë për themelimin e një shoqërie kulturo-artistike ia shpjeguam dy udhëheqësve të atëhershëm komunal, sepse ne nuk donim që të themelonim një shoqëri odash, por që shoqëria të formohej zyrtarisht në nivel të qytetit e më gjerë. Gjatë kësaj bisede, pasi morëm miratimin, Sinan Sahiti e ngarkoi Halil Buqincën me detyrën që të na ndihmonte në çdo formë të mundshme, i cili edhe më parë derisa ishte drejtor i një shkolle fillore të qytetit na pat ofruar një klasë për ushtrime e me emërimin kryetar i LSPP, ushtrimet i vazhduam edhe në zyrën e tij, brenda ndërtesës së KK të Ferizajt (!) dhe njëherësh duke na paguar edhe vulën e ansamblit me përkrenaren e Skënderbeut, çka për rrethanat e kohës ishte diçka tepër avancuese.  

Do theksuar që edhe atëbotë edhe më vonë, se kjo shoqëri nuk do të mund të qëndronte kaq gjatë po të mos ishte një numër aq i madh entuziastësh dhe intelektualësh shqiptarë dhe përkrahës të tjerë që me aq përkushtim e mbështetën, qoftë moralisht por edhe materialisht.

Sa i përket idesë për themelimin dhe startin e kësaj shoqërie, ndiej për obligim të përkujtoj vetëm disa nga ish nxënësit e Shkollës Normale „Zenel Hajdini“ dhe të rinjtë tjerë që punuan pareshtur në themelimin e „Kastriotëve“, siç ishin Qamil Bytyqi, Ramadan Deli Ramadani, Fehmi Zeqiri, Sabri Berisha, Mehmet Emërllahu, Hivzi Fazliu e Jahja Azemi.

Ndërsa lidhur me emërimin, që u bë në sallën e ndërtesës së Kuvendit komunal në Ferizaj, pikërisht sot e 55 vjet më parë në praninë e dashamirëve të artit muzikor, intelektualëve dhe të disa udhëheqësve komunal shqiptarë, pas tri propozimeve ndër to edhe ai Gjergj Kastrioti- Skënderbeu u përkrah propozimin i profesor Naim Bashës, që Shoqëria kulturo-artistike e Ferizajt të pagëzohej „Kastriotët“, çka atëkohë përputhej edhe me 500-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, që do të kremtohej gati një vite më vonë, më 17 janar 1968.

Do rikujtuar se emri „Kastriotët“ në fillim hasi në kundërshtim te rrepta tek forcat shoviniste serbe, porse puna vetëmohuese e vetë anëtarëve të shoqërisë bëri që ky emër të qëndrojë deri në ditët e sotme, duke e afirmuar qytetin e Ferizajt edhe në përmasa brenda dhe jashtë Kosovës. Ndërsa si shtylla të shoqërisë që përbënin në fillim grupin e orkestrës ishin: dr. Hysen Demjaha, vëllezërit Baki e Bislim Kastrati, Fehmi Zeqiri, Adem Bilalli, Jakup Bunjaku, Gani Selimi, Shabi Sejdiu e Kamber Avdiu, apo solistët: vëlla e motër Hivzi e Zyrafete e Fazliu, Nol Berisha, Qamil Bytyqi, Ismet Topalli e Feim Jupa. Me këtë rast me pietet të veçantë duhet kujtuar të gjitha ata që prehen në amshim duke veçuar solistin dhe organizatorin shumëvjeçar, Hivzi Fazliu, i cili deri në fund të jetës me tërë qenien iu përkushtua mbarëvajtjes së këtij ansambli muzikor.

Një plejadë e tërë entuziastësh të artit muzikor

Për çdo kënd nga ne është punë e vështirë të kujtojë të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në punën e „Kastriotëve“, qoftë me rastin e themelimit, apo në periudhat e më vonshme, sepse përmes kësaj shoqërie defiluan me qindra të rinj e të reja, por edhe të moshuar, të cilët me angazhimin e tyre lanë vulë të pashlyeshme në jetën e këtij ansambli, qoftë si solistë, valltarë apo instrumentistë, të cilët bënë që emri i ansamblit të „Kastriotëve“, të jetë fuqimisht prezent për më se 55 vite, jo vetëm  në skenën kulturore të Ferizajt e Kosovës, por edhe në manifestimet e ndryshme jashtë atdheut. .

Konsideroj se themelimi i ansamblit „Kastriotët“ ishte një ngjarje e rëndësishme kulturore jo vetëm për komunën tonë dhe komunat fqinje e më gjerë, pasi ai shumë shpejt u shndërrua në një shkollë të vërtetë muzikore (sepse deri vonë Ferizaj nuk pati fatin të ketë një shkollë qoftë edhe të ultë muzike) , ku këngëtarë, instrumentistë e valltarë filluan të organizohen përbrenda një shoqërie të përbashkët kulturore, duke kultivuar një art të mirëfilltë shqiptar.

Por krahas, vullnetit dhe gatishmërisë së shumë entuziastëve, që në nismën e ansamblit u rrekëm me pengesa tejet të mëdha, jo vetëm financiare , por edhe të mungesës së lokalit e të instrumenteve muzikore apo të gardërobës, sepse disa qarqe serbe edhe më tej përpiqeshin të mbanin frenat në kulturë dhe të mbikëqyrnin Shtëpinë e kulturës, që tek më vonë do të merr emrin e shkrimtarit tonë Hivzi Sulejmani.

Nga ana tjetër edhe në Kaçanik, hasëm në përkrahje të pa rezervë , te kryetarit të atëhershëm , Sali Bajra, i cili për anëtarët e ansamblit tonë ishte një  shtyllë tejet e fortë morale, për çka edhe e emëruam kryetar nderi të SHKA „Kastriotëve“ . Këtë gjest të ansamblit e vlerësoi edhe vetë kryetari i komunës së Ferizajt, Sinan Sahiti, duke thënë se: „Atë barrierë që nuk po mund  ta kalojmë ne të vjetrit, për fat po e tejkaloni ju të rinjtë, duke i ofruar dy komunat, sidomos në fushën e kulturës”

“Kastriotët” ndërlidhën ura të shumta miqësie e bashkëpunimi me shoqëritë shqiptare

Më kujtohet se po në vitet 1966-67, ndonëse kishte ndodhur Plenumi i Brioneve, ende frymonte rëndë jeta kulturore në Kosovë, e sidomos  në Ferizaj. Ngase edhe më tej ndihej një prani faktike e forcave rankoviçiste në sferën e kulturës. Kështu që edhe biblioteka e qytetit edhe Shtëpia e kulturës kontrolloheshin dhe administroheshin nga po ato forca të errëta. Bile në shtëpinë e kulturës ishin tre përgjegjës që mbanin të njëjtin emër- Aca: njëri ndër ta ish punëtorë sigurimi e tjetri vëlla i një heroi serb, dhe i treti po ashtu një element çetnik i përbetuar, që nuk na lejonin të mbanim as prova dhe as koncerte në atë objekt dedikuar kulturës. Kështu që ne si SHKA “Kastriotët”, ftuam shoqërinë “Liman Kaba” nga Dibra e si mysafirë edhe anëtarë të Shoqërisë “Hajdar Dushi” nga Gjakova. Por meqë edhe kësaj radhe nuk deshën të na lejojnë dhënien e koncertit në shtëpinë e kulturës, të rinjtë e hapën me dhunë derën dhe u mbajt koncerti, i cili, më pastaj e politizoi situatën edhe më shumë. Me të përfunduar të këtij koncerti, i cili u prit me duartrokitje e përzemërsi, sepse pas shumë vitesh merrte pjesë një shoqëri simotër shqiptare nga Maqedonia. Pas koncertit u organizua edhe një mbrëmje shoqërore, ku merrnin pjesë edhe mysafirë të shquar nga komunat fqinje dhe nga Kosova.

Mbaj mend si sot kur desha t`ia jap fjalën shkrimtarit Ramiz Kelmenidi, se si ai pranoj të flasë i pari, duke thënë përafërsisht këtë:” Derisa këtu është Sali Bajra, unë nuk dëshiroj të flasë i pari, sepse ai e meriton dhe është i zoti për këtë, ndërsa që detyra ime është të shkruaj e jo të flasë!” Këto fjalë të Ramizit sikur e ndezën edhe më tepër atmosferën në sallën e shtëpisë së armatës në Ferizaj , ku mbahej ky takim i pari i këtij lloji me pjesëmarrje mjaft masive nga vise të ndryshme shqiptare. 

Por, me këtë rast duhet vlerësuar lartë edhe përkrahjen e udhëheqësve shumëvjeçar të kulturës, si atë të Shukri Hoxhës dhe Ali Lubishtanit, të cilët derisa ishin në krye të Shtëpisë së kulturës „Hivzi Sulejmani“ mbështetën dhe përkrahën pa rezervë punën e këtij ansambli. Por ai që kontribuoi në ngritjen e cilësisë artistike të orkestrës për shumë vite është profesor Fahri Beqiri, ndërsa financiarisht „Kastriotët“ u mbështetën në nismë nga udhëheqësit e disa kolektiveve ekonomike e pastaj edhe nga afaristët shqiptarë të firmave private.

Me këtë rast, si kryetar i parë i kësaj shoqërie, shprehi dëshirën që “Kastriotët” edhe më tej të jenë shoqëri e paanshme, e cila me përkushtim edhe më të madh të afirmojë artin e mirfilltë muzikor, duke u bërë një simbol bashkëpunimi edhe me simotrat tjera në nivel kombëtar, sepse një mision të tillë ia imponon edhe vet emri i madh që mban.

Me këtë rast ca nga fotot që kam shkrep në 50 vjetorin e themelimit dhe disa të më hershme si dhe artikullin e parë në gazetën “Rilindje”, me autor Jakup Bunjakun, botuar më 23 Qershor 1967, ku bëhet fjalë për Kuvendin themelues të Ansamblit të “Kastriotëve” të Ferizajt.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shënohet Dita e Shkollës dhe përurohet Salla e Sporteve në shkollën “Astrit Bytyqi”në Ferizaj

Gjatë ditës së sotme është bërë shënimi i Ditës së Shkollës “Astrit Bytyqi” si dhe u përurua Salla e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img