“Po”-ja për rikonfirmimin e mandatit të Ramës udhëheq me mbi 90 për qind.
“Mirënjohje e thellë për familjen tonë të madhe politike që sot dha një provë shumë kuptimplotë të vetëdijes dhe angazhimit demokratik. Referendumi kaloi pritshmëritë për pjesëmarrjen falë angazhimit të të gjitha gjeneratave të socialistëve. I falënderoj me dashuri dhe respekt që të gjithë, nga 90-vjeçarët që ishin dëshmia më emocionuese përpara kutive të votimit, deri te 16-vjeçarët që janë dëshmitarët më të rinj të të parit referendum partiak në Shqipërinë e këtyre 25 vjetëve”, u shpreh kryesocialisti me një status në “Facebook” në mbrëmje.
“Referendumi i sotëm ishte një ushtrim demokratik e organizativ plotësisht i suksesshëm, i cili rrit energjitë pozitive të akumuluara në familjen tonë të madhe gjatë procesit nëntëmujor të hapjes, zgjerimit e fuqizimit të partisë. Ky proces do të vazhdojë pa u ndalur prej ditës së hënë, për të realizuar objektivin e 150 mijë anëtarëve në ditën e 25-vjetorit të lindjes së Partisë Socialiste”, vijoi Rama.
“As unë e as shumica dërrmuese e shokëve e shoqeve të trupës drejtuese të PS-së nuk kemi dyshuar asnjë çast se anëtarët e familjes sonë politike që, bashkë me qindra mijëra qytetarë të tjerë, na dhanë besimin dhe privilegjin e jashtëzakonshëm për të drejtuar qeverinë e Shqipërisë pas fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit, e kanë mirëkuptuar e mbështetur plotësisht mosmbajtjen e zgjedhjeve për kryetar partie pas marrjes së detyrës së kryeministrit nga ana ime – shtoi kryeministri -. Por referendumi i sotëm e konfirmoi katërcipërisht bindjen tonë, ashtu sikundër mbështeti me një ‘PO’ shumë të fuqishme, vendimin e Kongresit të ri për ndryshimin e përkatës në Statutin e Partisë Socialiste lidhur me mandatin e kryetarit kur ky i fundit ka edhe detyrën e kryeministrit.
Kjo ditë na dha të gjithëve një arsye më shumë për të qenë krenarë për Partinë Socialiste, ndërsa mua vetë edhe një arsye më shumë për t’i shërbyer me mish e me shpirt familjes sonë të madhe politike, në radhë të parë duke e bërë me ndershmëri, përkushtim e dinjitet detyrën e lartë të kryeministrit të Shqipërisë”.
The post Referendumi, Rama: Sot, një arsye më shumë për të qenë krenarë appeared first on Lajminet.