Deputeti i partisë socialiste, Taulant Balla u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të kësaj partie që të marrin pjesë në referendumin që do të zhvillohet nesër.
Ai, në cilësinë e drejtuesit politik të Rajonit Elbasan – Korçë, ka njoftuar se e gjithë baza materiale është gati, në mënyrë që procesi i votimit nesër të jetë i rregullt.
“Për ditën e nesërme, 9 Prill, për Referendumin e PS, për një çështje shumë të rëndësishme të cilën Kongresi ia delegoi anëtarësisë së partisë, për të vendosur dhe për të dhënë verdiktin përfundimtar, gjithçka është gati. Listat e zgjedhësve në çdo qendër votimi janë shpallur prej disa ditësh. Gjithashtu të gjitha komisionet e votimit kanë marrë dokumentacionin, fletët e votimit dhe procesverbalet. Është bërë një punë e shkëlqyer përsa i përket njoftimit të të gjithë anëtarësisë. Apeli im sot për çdo anëtar të PS të qarkut Elbasan, qarkut Korçë dhe të të gjithë Shqipërisë është që në këtë ushtrim demokratik brenda PS, çdo anëtar duhet të marrë pjesë. Pra, ky Referendum është një zhvillim i rëndësishëm për PS, e cila është partia më e madhe e të gjithë shqiptarëve, por edhe një zhvillim shumë i rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri, në tërësi ”– përfundoi Balla.
Ndërkohë, deputetja socialiste Lindita Nikolla dhe njëherësh drejtuese politike e Rajonit Lezhë –Dibër, ka theksuar rëndësinë e këtij Referendumi, që sipas saj, tregon më së miri demokracinë e Partisë socialiste.