Besnik Berisha, ish-udhëheqës i Divizionit të Prodhimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, ka reaguar lidhur me informatën e publikuara nga mediet se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për veprën “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare”. “Deklaroj se kjo aktakuzë është e pabazë dhe e ndikuar nga MPB-ja, për shkak të publikimit që e kam bërë lidhur me keqpërdorimet me pasaportat biometrike që kanë ndodhur dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Në vend që policia dhe prokuroria të ndërmarrin masa ndaj keqpërdoruesve që e dëmtojnë buxhetin e Kosovës, ngritet aktakuzë ndaj denoncuesit kinse për zbulim të fshehtësisë zyrtare. Asnjë informatë apo dokument i klasifikuar si konfidencial apo sekret nuk e kam publikua. Kam publikuar vetëm keqpërdorimet që kanë ndodhë dhe që edhe tani vazhdojnë të ndodhin edhe sot, siç është rasti i tentimit të dhënies së kontratës rreth 20 milionshe për prodhimin e pasaportave biometrike pa procedurë tenderuese, përkatësisht me procedurë të negociuar për kompaninë e favorizuar. Mbetem pranë të gjitha denoncimeve që i kam bërë në prokurori, polici dhe media të shkruara dhe elektronike, duke qenë i vetëdijshëm për pasojat e fatin që e ka një denoncues sot në Kosovë…”, thuhet ne reagimin e Berishës. Ndryshe sipas aktakuzës së publikuar sot nga Prokuroria, Berisha ngarkohet për keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe zbulimin e fshehtësisë zyrtare, duke publikuar informata për procesin e punës së prodhimit të dokumenteve, të cilat sipas ligjit klasifikohen si sekret zyrtar. Këto veprime, thuhet se i pandehuri i ka kryer gjatë kohës sa ishte në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit për prodhim në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës.