Para banorëve të fshatrave Bibaj, Fshati i Vjetër dhe Sojevë, drejtues të pushtetit lokal të Ferizajt paraqitën ecurinë e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal për periudhën 2016-2022, raporton Tv Tema.
Drejtori i Urbanizmit në Ferizaj, Faik Grainca, kërkoi nga banorët që të japin ide konkrete në lidhje me planifikimin zhvillimor në mënyrë që në të ardhmen të mos krijohen zona ndërtimore ilegale.
“Neve na duhet mendimi i juaj se si planifikoni të zhvillohet fshati juaj, për arsye se në momentin që ne i përcaktojmë zonat ndërtimore, atëherë nuk ka mundësi që dikush të dalë të ndërtoj jashtë asaj zone, atëherë shteti është i obliguar të rrënoj një objekt i cili ndërtohet jashtë vijës kufitare, jashtë vijës ndërtimore që ne e përcaktojmë me planin zhvillimor dhe për këtë arsye neve na nevojitet mendimi juaj se si planifikoni ta zhvilloni fshatin”,tha Grainca.
Por banorët thanë se nuk kanë se si të japin ide konkrete ngase nuk janë njoftuar më herët për këtë takim në mënyrë që të përgatiteshin se çka u nevojitet brenda fshatrave ku jetojnë.
“Vërtet këtu nuk kemi mundësi që të japim propozime konkrete sepse së pari nuk i kemi hartat se çka ju keni propozuar dhe ne si fshat së pari të formojmë komisione të bashkëpunojmë me qytetarë që të japin të gjithë mendimet e veta dhe të përgatitemi dhe mandej të mbahen këto tubime”,tha Bajram Bucaliu.
“Është ndërtuar në fshatin tonë një fabrikë e pulave, që po na helmon neve që jetojmë aty, këso zhvillime nuk është mirë t’i dërgoni nëpër fshatra ku dendësia e banorëve është e madhe, ndërsa për të ardhmen këtë plan që e pasni është mirë që të keni parasysh këto e jo ti dëmtoni banorët”,tha një banor i fshatit Sojevë.
Plani Zhvillimor Komunal është një plan shumë dimensional por që kryesisht fokusohet në zhvillimin ekonomik, anën financiare dhe planifikimin hapësinor që nënkupton zonat urbane, rurale, vijat ndërtimore në zonën bujqësore, në zonën e gjelbër e zona të tjera.