Ferizaj me infrastrukture moderne dhe pamje të qyteteve Evropiane
Ferizaj 17.11.2016. Të enjten edhe zyrtarisht kanë filluar punimet për rregullimin e unazës së jashtme të qytetit e cila përfshinë këto fshatra Prelez i Jerlive, Kosinë, Llojzë – Dramjak – Nerodime.
Në fillimin e këtyre punimeve morri pjesë edhe ministri i Infrastrukturës, Lufti Zharku, kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, zëvendësministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, deputet të Kuvendit të Kosovës si dhe banorë të këtyre fshatrave.
Me këtë rast ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku ka thënë dikasteri që ai drejton është shumë e interesuar që në Komunën e Ferizajt të bëjë edhe investime shumë më të madha.
”Përkrahja e Ministrisë që unë drejtoj nuk do të mungojë edhe për vitin e ardhshëm për Komunën e Ferizajt, ku kemi paraparë projekte të tjera në kuadër të buxhetit të vitit 201&”, ka thënë ministri Zharku.
Nga ana tjetër kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, këtë projekt e ka cilësuar si njërin ndër projektet më me peshë për komunën tonë. Tha se kjo rrugë është tejet e rëndësishme për banorët e këtyre anëve.
“Si rrugë do të kontribuoje shumë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të këtij lokaliteti dhe do të zgjidh edhe problemet infrastrukture të munguara nga të gjitha periudhat që ka kaluar ky vend. Më në fund Qeveria e Republikës së Kosovës po tregon një seriozitet dhe një vullnet në zgjidhjen e problemeve infrastrukturore për banorët e Komunës së Ferizaj, në veçanti për viset rurale si dhe për ato kanë pasur fatin që të lidhen më komunat tjera”, ka thënë kryetari Svarqa, duke falënderuar ministrin e infrastrukturës, Lufti ZHarkun për të gjitha investimet që janë bërë gjatë këtij viti në Komunën e Ferizajt.
Po gjatë ditës se sotme punimet kanë filluar edhe në zgjerimin e rrugës Komogllavë – Tërstenik – përmes lagjes Qarkosh që lidhe Ferizajn me Vitinë si dhe asfaltimi i rrugës Greme – Burrnik – Gaçkë që lidhet me magjistralen Ferizaj – Shtërpcë.
Edhe këto dy projekte janë vlerësuar tejet lartë nga kryetari Svarqa si ministri Zharku. Por ai i cili më me qejf e priti rregullimin e kësaj rruge ishte edhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Milazim Haliti.
“Po është një projekt më rendësi për banorët e kësaj ane sidomos për banorët e fshatit Burrnik i cili ka qenë i lënë pas dore dhe i braktisun. Banorët e këtij fshati kanë pasur probleme të mëdha dhe vështirësi të udhëtimit sidomos gjatë sezonit të dimrit”, ka thënë deputeti Haliti.
U bë e ditur se vlera e investimeve në këto projekte kap shumën mbi 6 milion e gjysmë euro, mjete këto të Ministrisë së Infrastrukturës së Republikës së Kosovës.