Dhurimi i gjakut është diçka fisnike dhe joegoiste që mund ta bëni. E jepni një pjesë të vetes për shëndetin e dikujt. Lajmi i mirë është se në gjithë botën çdo vit po rritet numri i dhuruesve të rregullt të gjakut.
Gjaku i shëndetshëm e shpëton jetën dhe e përmirëson shëndetin.
Transfuzioni i gjakut është i nevojshëm për:
– Femrat të cilat kanë komplikime gjatë shtatzënisë, si shtatzënitë jashtë mitrës, gjakderdhjet e mëdha para ose gjatë lindjes.
– Fëmijët që vuajnë nga anemia, e cila është shpesh rezultat i ushqyerjes joadekuate.
– Personat të cilët kanë përjetuar lëndime të rënda fizike.
– Personat të cilët i janë nënshtruar ndonjë operacioni.
– Personat të cilët janë duke vuajtur nga kanceri.
Ekziston një nevojë e vazhdueshme për gjak të shëndetshëm, sepse gjaku mund të ruhet vetëm për një kohë të caktuar.
Dhurimi i shpeshtë i gjakut të shëndetshëm është jashtëzakonisht i nevojshëm që ai të jetë gjithmonë në dispozicion.
Gjaku është dhurata më e çmuar të cilën një person mund t’ia dhurojë personit tjetër – një dhuratë e jetës.
Vendimi për të dhuruar gjak mund të shpëtojë një jetë apo edhe më shumë, sepse gjaku mund të ndahet në komponentët e tij – rruazat e kuqe, plazma apo trombocite.
Këta komponentë mund të përdoren veçmas për trajtimin e çrregullimeve mjekësore.