27,12,2024

Përplasja me policinë, Krimet e Rënda mbajnë në burg burrat e fisit Çapja

Must Read

 

Një masë më e butë është marrë ndaj 5 personave të tjerë ty cilët u arrestuan për pengim të së vërtetës. Ata do të mbahen në burg vetëm një muaj dhe më pas, nëse prokuroria nuk do të ketë faktet e mjaftueshme, të rinjtë mund të fitojnë edhe lirinë. Ndërkaq, qëndron ndryshe çështja për dy djemtë, emra të përfshirë në një mori ngjarjesh që kanë motiv një hasmëri të pafre mes fisesh, por që asnjëherë policia dhe as prokuroria nuk iu gjeti prova t`i vinte nën akuzë.

Masa “Arrest me burg” caktoi Gjykata e Krimeve të rënda për tre pjesëtarë të familjes Çapja nga Elbasani, të akuzuar për sulmin me armë ndaj agjentëve të policisë. Ndërsa për 5 të rinjtë, nipa dhe të afërm të kësaj familjeje, të arrestuar nga policia për akuzën e veprimeve që pengojnë në zbulimin e së vërtetës, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 30 ditor. Gjyqtari Bib Ndreca, zhvilloi seancat gjyqësore veçmas nga njëri-tjetri dhe me dyer të mbyllura për median dhe familjarët. Në gjykatë, dolën të dyshuarit Bledar Muça dhe Florenc Çapja të cilët mbetën në burg deri në përfundim të hetimeve. Ndërkohë 5 nipat e tyre, Ambri Sinakolli, Fiqeret Meçe, Kastriot Peqini, Serxho Hakilja dhe Jetmir Shehu mbetën në burg me afat 30 ditor.

Ndërsa, ndaj 48-vjeçarit Ardian Çapja, seanca u zhvillua brenda ambienteve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ku ai ndodhet i shtruar pas një ataku kardiak në zemër ditën e ngjarjes. Mësohet se mbrojtja e të dyshuarve, ka replikuar disa herë me gjyqtarin dhe prokurorin Blerim Tominaj, në lidhje me provat dhe trajtimin e të arrestuarve nga policia. Asnjë nga të dyshuarit nuk kanë pranuar të japin shpjegime për ngjarjen e pasdites së enjte në Elbasan, ku u sulmua me armë makina me agjentët civil të policisë. Ndërsa avokatët kanë pretenduar se nuk janë klientët e tyre, personat që kanë sulmuar me armë policinë, duke i deklaruar të pafajshëm për këtë ngjarje. Ata pretenduan se policia, jo vetëm që nuk ka zbuluar autorët e sulmit me armë në lokalin e familjes Çapja ku u vranë tre persona dhe 6 të tjerë u plagosen dhe atentatin e dështuar të pak ditëve më parë në qendër të Elbasanit, ku u plagos njëri prej të arrestuarve Bledar Muça, por arreston dhe dhunon të dëmtuarit në shtëpinë e tyre.

Reagon mbrojtja

Të njëjtën dalje publike që kanë bërë tri ditë më parë në lidhje me mbrojtjen e familjes Çapja, avokatët e kanë rezervuar edhe ditën e djeshme, teksa të arrestuarit e asaj përballjeje me armë në Elbasan mes policisë dhe grupit të Florenc Çapjes kanë dalë para gjykatës. Kështu, avokati i ka kujtuar gjykatës se ndaj drejtuesve të operacionit të policisë për arrestimin e klientëve të tyre, do të bëhet kallë- zim penal pasi janë dhunuar e torturuar të gjithë pjesëtarët e familjes, duke mos përjashtuar edhe gratë e fëmijët. Edhe në dalje të gjykatës, avokati renditi akuzat ndaj policisë. Sipas prokurorisë, pasditen e së enjtes, makina civile e agjentëve të vëzhgimit, që ndodhej 100 metër larg bizneseve të familjes Çapja, është qëlluar me armë. Sulmi dyshohet se ka ardhur nga ambientet e lokalit të familjes Çapja. Pas këtij sulmi, kanë ndërhyrë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë duke arrestuar 8 të dyshuarit e kësaj ngjarjeje si dhe kanë sekuestruar arsenal të madh armësh.

The post Përplasja me policinë, Krimet e Rënda mbajnë në burg burrat e fisit Çapja appeared first on Lajminet.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img