Editorial

PËRPARIMI QË I DUHET PRISHTINËS


Publikuar më:


Shkruan: Flamur Sadriu

Politika, sikurse jeta vetë, shpeshherë të ofron një shans të dytë. Një shans të tillë – të dytë, një mundësi të shumëpritur e tejet të kërkuar nga të gjithë ne, e kemi para vetes sivjet. 2021-ta, me sa duket, nuk do të jetë vetëm vit i rikthimit në normalitet e i rimëkëmbjes por edhe më shumë se aq. Ky vit qenka edhe vit i ringjalljes së Prishtinës, i rikthimit të Hyjneshës në Fronin e saj meritor.

Herën e fundit provuam një eksperiment i cili dështoi në mënyrë spektakolare. Kësaj here le ta zgjedhim rrugën e sigurtë. Në këto zgjedhje lokale, LDK-ja, partia më e vjetër e më konzervatore në vend, duke ndjekur vizionin e Kryetarit Abdixhiku, ka vendosur të hapet – dhe në Prishtinë – ka vendosur të garojë me një figurë jashtë strukturës së saj partiake, përkatësisht me arkitektin e mirënjohur, Përparim Rama.

Biografinë e tij të bujshme me siguri tashmë e keni lexuar të gjithë por disa prej arritjeve të tij kulminante i’a vlen që t’i përsërisim. Përparim Rama është Magjistër Shkence i Arkitekturës dhe Urbanistikës, i shkolluar në Londër. Aty ai ka themeluar kompaninë “4M Group” e cila ka mbi 80 punonjës. Poashtu kjo kompani e ka zyren e saj edhe në Prishtinë.

Ka qenë konsulent në Lojërat Olimpike të Londrës në vitin 2012; është konsulent në ndërtimin e Doha-s, Kryeqytetit të Katarit, ku do të mbahet Kampionati Botëror i Futbollit në vitin 2022 dhe Lojërat Olimpike në vitin 2030.

Para disa viteve me projektin e “Hamam Jazz Bar” në Prishtinë ka fituar çmimin “dizajni më i mirë i enterierit”, në garë me 1,600 kompani nga e gjithë bota.

Ka bërë ridizajnimin e një kopshti të njohur të shekullit XVI në Angli.

Ka rikonstruktuar dy hotele në rrugën më të njohur në Hamburg të Gjermanisë.

Ka qenë e vetmja kompani shqiptare në garën për projektin e godinës së Bashkisë së Tiranës.

Klientë të kompanisë së Përparim Ramës janë qeveritë më të fuqishme të botës, kompani të mëdha ndërtuese, figura publike në Angli, etj, etj.

Pra, mund ta merrni me mend se për çfarë kalibri të njeriut po flasim. Emëruesi i përbashkët i bisedave të banorëve të Prishtinës, është se ky qytet ka nevojë për investime kapitale, për zhvillim, se duhet të dalë nga qorrsokaku ku është futur.

Domethënë, Prishtina ka nevojë për “Përparim” në të gjitha kuptimet e fjalës. Ka nevojë për progres, për avancim; por njëkohësisht ka nevojë për një njeri si Përparim Rama. Ai është njeriu i duhur në kohën e duhur. Ai është arkitekti i dëshmuar që mund ta bëjë më të bukur Prishtinën tonë. Ai është urbanisti me renome botērore që mund ta zgjidh kaosin urbanistik.

Përparimi, admiruesi i gjelbërimit dhe natyrës, do të angazhohet pa u kursyer për të shtuar hapësirat jeshile e parqet, që ne të marrim frymë më lirshëm në lagjet ku jetojmë.

Mërgimtarin që e viziton nga 12 herë në vit Prishtinën, tani ka ardhur koha ta kthejmë në shtëpi, që të qëndrojë këtu plot 12 muajt e vitit, për ta zhvilluar ne bashkë vendlindjen e tij, qytetin e prishtinasve, e Kryeqytetin e të gjithë kosovarëve.

Prishtinës, qytetit pa lum e me probleme shumë, i duhet një Kryetar që kryen punë. E ai Kryetar është Përparim Rama.

To Top