26,12,2024

PDK në Ferizaj propozon Draft Rregullore të re

Must Read

Sot shefi i grupit të këshilltarëve komunal të PDK-së në Ferizaj, z. Gazmend Bytyqi, dorëzoi për shqyrtim dhe miratim në kuvendin komunal, draft rregulloren për “PROCEDURAT DHE KRITERET E VENDOSJES DHE MIRËMBAJTJES SË PËRMENDOREVE, BUSTEVE, SIMBOLEVE, MONUMENTEVE DHE PLLAKAVE PËRKUJTIMORE NË KOMUNËN E FERIZAJT”.

Ai me këtë rast mbajti edhe një konferencë të hapur për medie ku potencoi rëndësinë e posedimit të një rregulloreje të tillë për qytetin e Ferizajt. Ai gjithashtu, ftoi qytetarët, si personat juridik dhe ata fizik, si dhe grupet e interesit që të japin kontributin e tyre me propozime dhe ide në shqyrtimin, plotësimin dhe amandamentimin e kësaj rregulloreje.

15193621_1387962861244459_7648273144491089647_n
Më poshtë po japim të plotë këtë draft rregullore.

DRAFT- RREGULLORE KOMUNALE

PËR PROCEDURAT DHE KRITERET E VENDOSJES DHE MIRËMBAJTJES SË PËRMENDOREVE, BUSTEVE, SIMBOLEVE, MONUMENTEVE DHE PLLAKAVE PËRKUJTIMORE NË KOMUNËN E FERIZAJT

Ferizaj, nëntor 2016

Në bazë të dispozitave të nenit 11, nenit 12.2 shkronja “c” dhe nenit 17, shkronja “s” të Ligjit Nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës” Nr.28/2008), të dispozitave të nenit 51, paragrafi 2, nënparagrafi 2.9 i Statutit të Komunës së Ferizajt 01.nr.50 dt.28.06.2013, Kuvendi i Komunës së Ferizajt në mbledhjen e mbajtur më____/_____/2016, miratoi

RREGULLOREN KOMUNALE
PËR PROCEDURAT DHE KRITERET E VENDOSJES DHE MIRËMBAJTJES SË PËRMENDOREVE, BUSTEVE, SIMBOLEVE, MONUMENTEVE DHE PLLAKAVE PËRKUJTIMORE NË KOMUNËN E FERIZAJT

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi
Me këtë rregullore përcaktohen procedurat dhe kriteret për vendosjen dhe mirëmbajtjen e përmendoreve,busteve,simboleve, monumenteve dhe pllakave përkujtimore në hapësirat publike brenda territorit të Komunës së Ferizajt.

Neni 2
Përkufizimet
Shpjegimi i kuptimeve të fjalëve që përdoren në këtë rregullore:
Përmendore-ja: (shtatore,përkujtesë) vepër arkitekture apo skulpturë e vendosur diku për të përjetësuar kujtimin e një ngjarje historike apo të një personaliteti të shquar; ndërtim apo shkrim me rëndësi historike që ruhet si dëshmi e së kaluarës; figurë- vepër e shquar që ruhet brez pas brezi.

Busti – Skulpturë që paraqet pjesën e sipërme të trupit të njeriut që nga mesi e lartë ose kokën dhe një pjesë të krahrorit.

Simboli – 1)shkronjë ose shenjë e caktuar që përdoret në mënyrë konvencionale për të paraqitur një element, madhësi, një veprim 2) send, qenie, dukuri apo veprim që është zgjedhur nga tradita shoqërore për të paraqitur një ide, një ndjenjë 3) figurë me domethënie të dyfishtë, me anën e së cilës dukuritë e rëndësishme të përgjithshme të botës përgjithësohen dhe mishërohen në mënyrë konkrete, 5) figurë, vizatim apo art publik me rëndësi historike, kulturore për qytetin; 5) shembull i lartë për t’u ndjekur.

Monumenti-e – 1) përmendore, 2) ndërtesë madhështore apo vepër arti me rëndësi historike.
Pllakë përkujtimore – pllakë zakonisht e mermerit me një mbishkrim të gdhendur që vendoset në një hapësirë të caktuar për të përkujtuar dikë apo diçka.

Neni 3
Formimi i Komisionit
3.1. Komisioni mandator për përcaktimin e listës së lokacioneve dhe hapësirave për vendosjen e përmendoreve, shtatoreve, busteve dhe simboleve për vlerësim të meritave historike e shoqërore të personaliteteve dhe ngjarjeve nga territori i Komunës së Ferizajt, emërohet nga Kuvendi i Komunës dhe duhet të pasqyrojë përbërjen politike të Kuvendit, aspektin gjinor, profesional si dhe të ketë të përfshirë shoqërinë civile përkatësisht shoqatat e dala nga lufta.

3.2. Përbërja e komisionit do të jetë nga 7 deri në 9 anëtarë.

3.3. Kuvendi i Komunës përmes Komisionit mandator të Komunës bënë përcaktimin e listës së lokacioneve dhe hapësirave për vendosjen e përmendoreve, busteve ,simboleve apo pllakave përkujtimore në hapësirat publike.

Neni 4
Komuna si autoritet publik është përgjegjës për menaxhimin e procedurës së vendosjes së përmendoreve, busteve ,simboleve apo pllakave përkujtimore të vendosura në hapësirat publike.

Neni 5
Kriteret për vendosje

5.1. Në hapësirat publike të përcaktuara paraprakisht nga Kuvendi, mund të vendosen përmendore, buste, simbole, monumente apo pllaka përkujtimore sipas kritereve të poshtëshënuara:

5.1.1. Të ketë iniciativë për vendosjen e përmendoreve, busteve, simboleve, monumenteve apo pllakave përkujtimore nga ana e qytetarëve të Komunës së Ferizajt, me zotësi veprimi të cilët kanë siguruar së paku 1000 (njëmijë) nënshkrime. Iniciativa duhet të jetë në harmoni me listën e miratur për figurat dhe ngjarjet meritore.

5.1.2. Të ketë vlerësim nga ana e Komisionit mandator i përbërë nga profesionistë të cilët merren me vlerësimin e meritave të kontribut dhënësve në secilën fushë të jetës shoqërore dhe profesionale.

5.1.3. Duhet të ekzistojnë fakte të qëndrueshme të cilat janë të karakterit historik, kultoror, arsimor, profesional etj.
5.1.4. Të ketë projekt ideor për vendosje të përmendoreve, busteve, simboleve, monumenteve apo pllakave përkujtimore, duke përfshirë arsyetimin dhe qëllimin kryesor të vendosjes së veprës së tillë në hapësirën publike.

5.1.5. Të pajiset me leje urbanistike nga ana e organit komunal kompetent;

5.1.6. Të merret vendim nga ana e KK –së për t’u realizuar neni 3.1. i Rregullores në fjalë.

Neni 6
6.1. Komisioni mandator për vlerësim të meritave historike e shoqërore të personaliteteve dhe ngjarjeve nga territori i Komunës së Ferizajt , i propozon KK-së listën dhe prioritetin e trajtimit të personaliteteve dhe ngjarjeve.

6.2. Lista miratohet nga Kuvendi i Komunës dhe mbetet në fuqi deri në revidimin e saj të ardhshëm nga ana e KK-së.

Neni 7
Vendosja e përmendoreve, busteve, simboleve, monumenteve apo pllakave përkujtimore

7.1. Iniciativën për vendosjen e përmendoreve, busteve, simboleve, monumenteve apo pllakave përkujtimore mund ta paraqesin edhe personat juridik dhe organizatat e ndryshme që veprojnë brenda territorit të komunës. Iniciativa i dorëzohet Komisionit mandator për vlerësim të meritave shoqërore e historike të personaliteteve apo ngjarjeve në territorin e Komunës së Ferizajt.

7.2. Komisioni mandator për vlerësim të meritave historike e shoqërore të personaliteteve dhe ngjarjeve nga hapësira e Komunës, gjatë përcaktimit të propozimit përfundimtar për vendosjen e përmendoreve , busteve, simboleve, monumenteve apo pllakave përkujtimore duhet të bashkëpunoj ngushtë me Kryetarin e Komunës dhe Kryesuesin e Kuvendit për të zhvilluar procedurat dhe siguruar dokumentacionin e nevojshëm.

Neni 8
Për vendosjen e përmendoreve, busteve, simboleve, monumenteve apo pllakave përkujtimore në hapësirat publike, vendimin përfundimtar e merr Kuvendi i Komunës.

Neni 9
Përgjegjësitë e Komunës
9.1. Komuna si autoritet juridik dhe kompetent është e obliguar:
9.1.1. Që të mirëmbajë përmendoret, shtatoret, bustet, simbolet apo pllakat përkujtimore të cilat janë të vendosura në hapësirat publike.

9.1.2. Të ndërmarr masa për mbrojtje të ambientit përreth tyre të sugjeruara nga organi kompetent komunal, në pajtim me ligjet dhe aktet tjera nënligjore përkatëse në fuqi.

9.1.3. Kompetente për mirëmbajtjen e përmendoreve, busteve, simboleve, monumenteve dhe pllakave përkujtimore është Ndërmarrja Komunale “Ambienti”.

Neni 10
Regjistrimi i përmendoreve , busteve, simboleve, monumenteve dhe pllakave përkujtimore

10.1. Të gjitha përmendoret, bustet, simbolet, monumentet dhe pllakat përkujtimore duhet të regjistrohen në regjistër të posaçëm të cilin e mban Drejtoria e Kulturës,Rinisë dhe Sporteve, Arkivi Komunal si dhe në librat kadastral.

10.2. Regjistrimi duhet të përfshijë të gjitha të dhënat identifikuese për veprën e caktuar si psh. Autori,vend lokacioni,viti i ndërtimit/vendosjes, personaliteti apo ngjarja e përkujtuar dhe të dhëna të tjera të cilat mundësojnë identifikimin më të lehtë të saj.

Neni 11
Mirëmbajtja dhe mbrojtja
11.1. Punët të cilat duhet të ndërmerren me qëllim restaurimi të përmendoreve, busteve, simboleve, monumenteve apo pllakave përkujtimore mund të kryhen vetëm me lejen të organit kompetent, respektivisht Kuvendi të Komunës nëse ndryshe nuk është paraparë me ligjin përkatës.

11.2. Punimet që në ndonjë mënyrë ndryshojnë pamjen e përmendoreve, busteve, simboleve, monumenteve apo pllakave përkujtimore dhe qëllimin për të cilin është vendosur, mund të kryhen vetëm me pëlqimin e organit kompetent sipas paragrafit 11.1 apo përmes komisionit të autorizuar nga ai.

Neni 12
Në rast se pronari i një përmendoreje, busti, monumenti, simboli apo pllake përkujtimore është i panjohur dhe se mbrojtja e tyre është me interes publik, atëherë Komuna apo MKRS – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve apo organi tjetër i autorizuar në bazë të ligjit i merr ato nën mbikqyrje.

Neni 13
Dispozitat ndëshkuese
13.1. Me gjobë do të dënohet subjekti të cilit i janë besuar punët e mirëmbajtjes së përmendoreve, busteve, simboleve, monumenteve apo pllakave përkujtimore për personin fizik në shumën deri në 500.00€ (pesëqind euro), kurse për personin juridik deri në 1000.00€ (njëmijë euro) në rast se:

13.1.1. Nuk i përmbahet masave mbrojtëse të përcaktuara nga organi kompetent në pajtim me ligjin përkatës;

13.1.2. Merr iniciativë lidhur me mirëmbajtjen, restaurimin apo mbrojtjen pa pëlqimin e organit kompetent;

13.1.3. Nuk ekziston vendimi apo kundër vendimit të Kuvendit të Komunës, ndërmerr punime që në ndonjë mënyrë e ndërrojnë qëllimin dhe karakterin e përmendores, bustit, shtatores, monumentit, simbolit apo pllakës përkujtimore të vendosur në hapësirë publike.

13.2. Gjobat e përcaktuara për persona fizik sipas nenit paraprak zbatohet edhe ndaj qytetarëve të cilët ndërmarrin veprime që i dëmtojnë, përdhosin përmendoret, bustet, simbolet, monumentet apo pllakat përkujtimore të vendosura në hapësira publike.

DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 14
Trajtimi

14.1. Deri në miratimin e kësaj rregulloreje, të gjitha përmendoret, bustet, monumentet, simbolet apo pllakat përkujtimore të vendosura në hapësira publike brenda territorit të Komunës së Ferizajt do të konsiderohen dhe trajtohen njësoj lidhur me mirëmbajtjen e tyre;

14.2. Përmendoret, bustet, simbolet, monumentet apo pllakat përkujtimore të cilat gjenden jashtë hapësirave publike (varrezat, objektet fetare, hapësirat përreth objekteve fetare apo hapësira private) nuk janë objekt i kësaj Rregullore.

Neni 15
Zhvendosja
Zhvendosja e përmendoreve, busteve, simboleve, monumenteve apo pllakave përkujtimore nga lokacioni ekzistues në një lokacion tjetër mund të bëhet vetëm me vendim të Kuvendit të Komunës, sipas iniciativës të paraqitur në pajtim me këtë rregullore.

Neni 16
Evidentimi
16.1. Autorizohet Drejtoria për Kulturë,Rini dhe Sport që të bëj evidentimin e të gjitha përmendoreve , busteve, simboleve, monumenteve apo pllakave përkujtimore të vendosura në hapësira publike para dhe pas hyrjes në fuqi të kësaj Rregulloreje.

16.2. Evidentimi duhet të bëhet në afat prej 90 ditësh nga dita e miratimit të kësaj Rregullore.

16.3. Lista e përmendoreve, busteve, simboleve, monumenteve dhe pllakave përkujtimore të evidentuara do të jetë pjesë përbërëse e kësaj Rregullore.

16.4. Pjesë e kësaj Rregullore do te jetë edhe lista e hapësirave publike në të cilat mund të bëhet vendosja e përmendoreve , busteve, simboleve, monumenteve dhe pllakave përkujtimore.

Neni 17
Për zbatimin e kësaj Rregullore obligohet: Drejtoria e Shërbimeve Publike, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Drejtoria për Urbanizëm dhe Mjedis.

Hyrja në fuqi
Kjo rregullore hyn në fuqi 8 ditë pas publikimit në web-faqen zyrtare të Komunës së Ferizajt.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img