Kadri Veseli më 3 gusht duket se do ta ketë të vështirë që të ulet përsëri në karrigen e kryetarit të Kuvendit. Ditën kur ai do të pres votat e deputetëve, pritet që shumë nga ta të dalin kundër tij.
Kundër Veselit tashmë është deklaruar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, që deri muaj më parë ishte në qeverisje me PDK’në, ka treguar se nuk do t’i japin vota Veselit për ta bërë kryeparlamentar.
Por, ndaj këtij vendimi të LDK’së ka reaguar Partia Demokratike.
Blerand Satvileci, ministër i MZHE, njëherësh anëtar i PDK’së, ka folur për Express lidhur me deklaratat që i ka bërë Mustafa.
Ai ka thënë se kryeministri në detyrë është duke u bërë presion deputetëve të partisë së tij.
“Ne besojmë në vullnetin e mirë dhe në vendimet racionale të deputetëve të subjekteve të tjera politike. Askush nuk duhet të ndikohet prej inateve dhe egove personale, por secili deputet duhet ta ketë parasysh interesin shtetëror”, ka thënë Stavileci për Express.
Ai ka bërë me dije se Kosova tashmë nuk ka kohe që të futet në ngërçe politike, dhe sipas tij, proceset duhet të ecin tutje.
“Nuk e kemi komoditetin të futemi ne ngërçe politike dhe as te vendnumëronim sikurse ne qeverisje apo edhe te lejonim qe te degradonte Kuvendi edhe me shume. Ketë gjë duhet ta kuptoj edhe lideri i LDK-se dhe t’i lejoj deputetet e tij qe te vendosin me vullnetin e tyre të lirë. Nuk i kanë rendet as ata të futen ne aventura politike”, ka thënë Stavileci. Stavileci ka treguar po ashtu se PDK nuk do ta ndërrojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Ai ka bërë me dije se Veseli është i preferuari i PDK.
“Veseli është i preferuari i PDK dhe ai do të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit”. Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pasi ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm ka treguar se LDK’ja nuk do ta mbështesë kandidaturën e mundshme të Kadri Veselit për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
“Në asnjë rast nuk do të bëjmë koalicion me PAN-in dhe po ashtu LDK-ja dhe deputetët e LDK-së nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit sepse konsiderojmë se ai është një prej iniciatorëve të prishjes së marrëveshjes sepse ka vënë interesat e veta para interesit të shtetit dhe nga njerëz të tillë nuk duam të drejtohet Kuvendi i Kosovës”, ka thënë Mustafa./F.SH./Gazeta Express/.