Dy partitë më të mëdha në Ferizaj, PDK e LDK, ende nuk i kanë listat përfundimtare me emrat e kandidatëve për deputetë në Parlamentin e Kosovës. Kryetari i degës së LDK-së, Muharrem Svarqa, tha se sipas të gjitha gjasave, kandidatë për deputetë nga partia e tij do të jenë të njejtit që nuk e çuan mandatin deri në fund, edhe pse sipas tij, listës mund t’i shtohen edhe disa emra të rinj që tashmë kanë shfaqur ambicie.
Por, Svarqa dyshon se lista edhe mund të ngushtohet.
“Lista mund të jetë e ngushtuar për shkak të përpjekjeve të lidhjeve të koalicioneve parazgjedhore, sepse sipas të gjitha gjasave, LDK-së do t’i bashkohen edhe subjekte të tjera politike dhe konkurimi me një regjistër kandidatësh sigurisht që do të jetë një hendikep për të gjithë të propozuarit dhe tjetra është që një numër i bizneseve dhe shoqërisë civile kanë shfaqur ambiciet që të jenë pjesë e kandidaturave të LDK-së. Ndërkaq, Adem Salihaj do të jetë në listën e LDK-së në Ferizaj edhe sipas alfabetit, edhe si njeri më i votuar në ballë të listës”, tha Muharrem Svarqa.
Ndërkaq, kryetari i degës së PDK-së në Ferizaj, Agim Aliu, tha se lista përfundimtare e kandidatëve për deputetë do të dalë këto dy ditë, pas aprovimit që do ta ketë edhe nga kryesia qendrore e kësaj partie.
Duke shfaqur synime për të kandiduar sërish, Aliu tha se partia e tij nuk do t’ia cungoj askujt të drejtën për të kandiduar.
“Partia është e hapur për secilën ambicie, për secilin anëtarë e aktivistë, por edhe jashtë anëtarëve të saj, sepse kemi thënë që PDK-ja do të vazhdoj të jetë e hapur për të gjithë ata që kanë vullnet. Unë do të kandidoj varësisht prej kërkesave dhe vullnetit të Partisë Demokratike, sepse kryesia sot do të diskutoj për këto kandidatura, pastaj Këshilli i degës do të vendos për kandidaturat e degës dhe një listë do të dërgohet në duart e Këshillit të Përgjithshëm ku do të vendoset për listën finale”, theksoi Agim Aliu.
Ndryshe, kryetari i degës së LDK-së, njëherit edhe anëtar i kryesisë qendrore të kësaj partie, Muharrem Svarqa, nuk parapëlqej të tregoj se cilin kandidat do ta përkrahte për kryeministër të vendit nga partia e tij.
“Prioritetet duhen të vendosen sipas strukturës së partisë dhe funksioneve në strukturën e partisë, që i bie që mund të jenë Agim Veliu, Lutfi Haziri si dhe Haki Rugova. Por, gjithashtu mund të jenë edhe anëtarët e kryesisë që janë ministra në detyrë, duke filluar nga Avdullah Hoti dhe të tjerë, por që ekskluzivisht nuk është diskutuar për ndonjë emër të përveçëm. Unë do ta votoj secilin që e propozon partia, ne do ta përkrahim sepse gjërat do të rregullohen me konsensus paraprak”, u shpreh Svarqa.
E, për Agim Aliun, kandidimi i tij për deputet do të jetë edhe një matës i mirë për të kandiduar më pas edhe për kryetar të Ferizajt.
“Sigurisht që zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale do të jenë një test edhe për zgjedhjet lokale dhe sigurisht që do të na shërbejnë të gjitha partive politike se çfarë i pret në zgjedhjet lokale që do të mbahen në muajin nëntor. Por, ajo që është e sigurt Partia Demokratike do të qeverisë edhe në nivelin qendror edhe ne nivelin lokal. Ndërkaq, sa i përket dëshirës time për të qenë edhe një herë kryetar komune, kjo varet nga analizat dhe vullneti i partisë”,tha Aliu.
Listat përfundimtare të partive politike me emrat e kandidatëve për deputetë të Parlamentit të Kosovës, duhet të dorëzohen në KQZ më së voni deri më 19 maj, transmeton Televizioni Tema.