Publikime të shumta pati gjatë ditëve të fundit ku qytetarë të ndryshëm kërkonin dhurues gjaku, shumica prej tyre në klinikat e QKUK-së.
Shumë prej tyre kërkonin dhurim të gjakut të grupeve të caktuara si A pozitiv, apo A negativ.
Qendra e Transfuzioni të Gjakut, kanë bërë të ditur se mungesat e furnizimit me gjak zakonisht janë për grupe të caktuara të gjakut apo përbërësve të gjakut, por që sipas tyre situata e krijuar nga pandemia COVID-19, ndikoi edhe tek këta të fundit.
Por që sipas tyre, mungesa e grupeve të caktuara të gjakut është dukuri që haset kudo në botë, përfshi edhe vendet më të zhvilluara.
“Përdorimi i media-ve sociale për dhurim të gjakut mund të prodhojë një fluks të madh të dhurimit, mirëpo gjaku dhe përbërësit e gjakut kanë jetëgjatësinë e vet dhe kohën e caktuar të përdorimit të tyre për qëllimin terapeutik. P.sh. trombocitet kanë jetëgjatësi 5-7 ditë. Dhurimi masiv në një ditë apo interval të caktuar, nuk do i mbushte rezervat më shume se 7 ditë. Për këtë, dhurimi i gjakut duhet të jetë baraspeshuar gjatë tërë vitit. QKKTGJ promovon dhurimin e vazhdueshëm të gjakut duke organizuar aksione dhurimi gjatë tërë vitit”, u tha në përgjigjen e Qendrës së Transfuzionit të Gjakut.
Gjithashtu u theksua se rezervat e gjakut në QKKTGJ në pjesën më të madhe sigurohen nga dhuruesit vullnetar të gjakut dhe se kjo realizohet kryesisht nëpërmjet ekipeve mobile të kësaj qendre, të cilat organizojnë aksione të dhurimit vullnetar të gjakut në institucione publike dhe jo publike.
“Si në Policinë e Kosovës, FSK, PTK, KEK, institucioneve qeveritare, universitete, kolegje, shkolla, xhamia, kisha dhe organizime vetanake të qytetarëve në fshatra të caktuara”.
COVID-19 duket se ka ndikuar në gjithçka, madje edhe në sigurimin e rezervave të gjakut në QKUK dhe në spitalet regjionale.
Nga QKKTGJ u bë e ditur se COVID-19 ka çrregulluar në masë të madhe zinxhirin e dhurimit vullnetar, duke limituar kështu mundësinë e organizimit të aksioneve të dhurimit.
Restrikcionet e lëvizjes dhe frika e ekspozimit gjatë qarkullimit publik po ashtu kanë limituar mundësinë e ardhjes së dhuruesve në qendër për të dhuruar gjak”, u tha tutje nga QKKTGJ.
Qendra e Trasfuzionit të Gjakut bëri të ditur se prevalence e grupeve të gjakut nuk është e shpërndarë në mënyrë homogjene në popullatë, rrjedhimisht, mund të ketë mjaftueshëm stoqe të produkteve tjera, por mungesë të produktit të gjakut i cili është i rrallë, ose ndonjë grupi që përdoret shumë.
“Gjaku pas dhurimit i nënshtrohet procesimit dhe ndarjes në produkte të ndryshme të gjakut. Secila dozë e gjakut mund të ketë njërin nga 8 grupet vijuese: A pozitiv, A negativ, B pozitiv, B negativ, AB pozitiv, AB negativ, O pozitiv dhe O negativ. Prevalenca e grupeve të gjakut nuk është e shpërndarë në mënyrë homogjene në popullatë. Rrjedhimisht, mund të ketë mjaftueshëm stoqe të produkteve tjera, por mungesë të produktit të gjakut i cili është i rrallë në popullatë, ose ndonjë grupi që përdoret shumë”, u tha nga Qendra e Transfuzionit të Gjakut në vend.