Nga pamjet e kamerave duket se si djali po vjen me një makine tip Audi dhe ndalon, kur befas pas tij vjen një makinë tip Mercedes Benz. Nga makina e dytë dalin dy të rinj me armë, ku njëri prej të cilëve duket se si e mbush pistoletën dhe qëllon dy herë ndaj djalit.
Fatmirësisht objektivi i atentatit arrin të shpëtojë dhe i jep gaz makinës duke u larguar. Por përveçse nuk arrijnë dot të realizojnë vrasjen, dy personat me sa duket nga emocionet, harrojnë të vendosin frenat e dorës te makina e tyre. Për pasojë në momentin që objektivi i atentatit largohet, njëkohësisht “largohet” edhe makina e tyre.
Ajo bie në humnerë prej gati 50 metrash duke u bërë copë e çikë. Të papara janë momentet kur dy autorët vrapojnë me armë në dorë pas makinës që po bie në humnerë. Një histori vërtetë tragjikokomike që mund të ndodhë vetëm në Shqipëri.
Ndërkohë djali i cili ishte objektiv i kësaj tentative vrasjeje, informon se as policia e Pukës dhe as gjykata nuk kanë marrë mundimin të merren me këtë çështje. Ai madje akuzon edhe shefin e komisariatit të Pukës i cili sipas tij ka lidhje familjare me dy autorët e ngjarjes të cilët raportohen se janë vëllezër. Urojmë që policia dhe drejtësia ta ndjekin sa më parë këtë çështje.
.