Komisioni organizativ i Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës (UNVP) ishte kompensuar pa ndonjë kriter nga buxheti i Universitetit të Prishtinës.
Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për vitin 2017 për UP-në konstatoi se kompensimi i komisionit dhe personelit tjetër administrativ për edicionin e 16-të të UNVP-së ishte bërë pa kriter.
“Universiteti i Prishtinës me datën 30.01.2017 kishte nxjerrë një vendim për kompensimin e komisionit të UNVP dhe personelit tjetër administrativ të angazhuar rreth organizimit të edicionit të XVI të UNVP. Përmes këtij vendimi është përcaktuar vlera 4,900€ për kompensim të 11 anëtarëve të komisionit për organizimin e UNVP. Nuk kishte ndonjë kriter të përcaktuar për kompensim për anëtarët e komisionit”, thuhet në raportin e auditorit.
Ndërkaq sipas këtij raporti rektori i UP-së me 29.12.2017 kishte marrë vendim që të ndërpritet kompensimi i komisionit për organizimin e UNVP.
Sipas auditorit rektori i UP-së përmes Këshillit Drejtues të UP-së duhet të rishikojnë mundësinë e rregullimit me procedure të shkruar organizimin e UNVP-së
Sipas këtij raporti, UP nuk kishte respektuar ligjin edhe lidhur me mbajtjen e pozitave të ushtruesit të detyrës.
Ligji për Shërbimin Civil përcakton se një pozitë nuk mund të mbahet nga ushtruesi i detyrës për më shumë se tre (3) muaj.
Auditori kishte identifikuar dy raste ku pozitat mbaheshin më gjatë se afati ligjor.
“Rasti i parë ka të bëjë me pozitën e Drejtorit të Shërbimit për Çështje të Studentëve në Administratën Qendrore, që mbahet me ushtrues detyre nga data 08.04.2013. Në këtë pozitë me vendim është caktuar zyrtari për çështje të studenteve në Administratë Qendrore, për një periudhë tre mujore, deri në përfundim të procesit të përzgjedhjes së drejtorit përmes konkursit publik.”, thuhet në raport.
Ndërsa rasti tjetër ka të bëjë me pozitën e Drejtorit të Zyrës për Shkencë, Zhvillim Akademik dhe Cilësi, që mbahet me ushtrues detyre nga data 25.03.2015.
Sipas auditorit mbulimi i pozitave të rëndësishme me ushtrues detyre për një kohë të gjatë, rrit rrezikun e mos arritjes se objektivave dhe se performance dhe përgjegjësia e realizuar në këto pozita të mos jetë në nivelin e duhur.
Probleme u gjetën edhe në fushën e prokurimit në këtë universitit
Sipas Ligjit për Prokurimin Publik kërkohet që qarkullimi ekonomik dhe financiar nga operatoret ekonomik duhet të dëshmohet me raport të bankës, polisës së sigurimit apo deklaratës së ATK-së.
Auditori gjeti se tek projekti “Furnizim me tonera” në vlerë 380,246€, në njoftimin për kontratë UP kishte kërkuar që OE të ofrojnë qarkullimin ekonomik dhe financiar për 3 vite në vlerë 600,000€, ku si dëshmi të dokumentuara ishin kërkuar kopjet e kontratave e jo dëshmitë ashtu siç kërkohen me ligj.
Po ashtu Sipas rregullës nr. 01/2013 për Shpenzimin e Parasë Publike, fillimisht duhet të bëhet kërkesa për blerje, zotimi i mjeteve, procedohet urdhër blerja, pastaj pranohet malli apo shërbimi dhe pas pranimit të faturës të ekzekutohet pagesa.
“Te mallrat dhe shërbimet identifikuam se në gjashtë pagesa, zotimi dhe urdhër blerja ishte bërë pas pranimit të faturës”, thuhet në raport.
Sipas këtij raporti është identifikuar se UP me vendime kishte angazhuar organe mbikëqyrëse (stafin akademik të fakulteteve në cilësinë e organeve) për mbikëqyrjen e disa projekteve kapitale.
Sipas rregullores së brendshme të UP Organet mbikëqyrëse kompensohen në shumë prej 1% të vlerës së kontratës.
Ndërsa auditori thotë se duke shmangur procedurat e prokurimit e pa mundëson konkurrencën e lirë dhe të drejtë si dhe rrezikon parimin e shfrytëzimit efikas, me kosto ekonomike dhe të drejtë të fondeve e burimeve publike.
“Obligimet e papaguara në vitin 2017 krahasuar me vitin e kaluar ishin rritur për 619,960€ (2016–1,353,250€). Kjo rritje kishte ndodhur për shkak se obligimet financiare nuk ishin menaxhuar si duhet dhe paguar me kohë. Po ashtu në rritjen e tyre ndikojnë vonesat me rastin e nënshkrimit të kontratave në mes të Rektorit të UP dhe stafit të angazhuar për orë mbi normë dhe honorarë ku profesorët angazhohen në procesin mësimor dhe më vonë i nënshkruajnë kontratat”është e gjetura tjetër e auditorit. /kallxo.com/
Must Read