Partia e Behxhet Pacollit thotë se ka shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi. Lajmin për Express e ka konfirmuar sekretari organizativ i AKR-së, Rrahim Pacolli. Në vend të Gashit në krye të MPB-së pritet të emërohet Ekrem Mustafa.
Sido që të jetë, Qeveria ende zyrtarisht nuk ka bërë me dije që Gashi nuk është më pjesë e ekzekutivit.
Rrahim Pacolli ka deklaruar se shkarkimi i tij vjen pasi që i njëjti nuk ka treguar performancë të mirë në punët me të cilat obligohet.
“Po, është e vërtetë që ai është shkarkuar nga ana e partisë. AKR-ja gjithmonë i ka ndërruar ministrat e saj. Kjo po bëhet për shkak të performancës. Çdo ministër i AKR-së, duhet të japi më shumë punë në të mirë të qytetarëve”, i tha Expressit Pacolli.
E shkarkimi i Gashit nga detyra e të parit të MBP-së vjen në kohën kur Kosova është duke e pritur votimin për anëtarësim në INTERPOL.
Express merr vesh se ministër i ri mund të jetë Ekrem Mustafa nga Ferizaj. Për këtë më i zëshmi ka qenë deputeti i kësaj partie, Labinot Tahiri, duke thënë se Ferizaj si një qytet që jep aq shumë për shtetin e Kosovës, e meriton një ministër nga rajoni i vet. /GazetaExpress/