Organizata për të drejtat e kafshëve “PARK”, ka reaguar ndaj kërkesës së rrjetit të OJQ’ve në Ferizaj, “Avonet”, të cilët kanë kërkuar nga Komuna e Ferizajt të marrin masa ndaj qenve endacak, duke kërkuar eliminimin e qenve
Organizata për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve PARK, dhe vullnetarë anëtarë të kësaj organizate, shprehin indinjatën e thellë me paralajmërim e fundit nga ana e autoriteteve komunale të qytetit të Ferizajt lidhur me “zgjidhjen përfundimtare” të problemit me qentë endacakë në këtë qytet. Edhe njëherë, dhe në kundërshtim të plotë me ligjet në fuqi (Ligji Nr. 02/L-10), autoritetet tona synojnë që problemin me qentë endacakë ta zgjidhin nëpërmjet shfarosjes.
Fatkeqësisht pamundësia e autoriteteve komunale që të zgjidhë problemet me deponitë e mbeturinave në qytet, që janë në gjendje të mjerueshme, dhe që në kërkim të ushqimit tërheqin kafshë të uritura, pombulohet me promovimin e ideve barbare.
Çfarëdo vendimi apo përpjekje për të eliminuar fizikisht kafshët, përfshirë edhe qentë endacakë, është plotësisht e ndaluar me ligj, pasi që një gjë e tillë mund të bëhet vetëm në situata jashtëzakonisht të komplikuara dhe të specifikuara qartë në ligj.
Po ashtu shprehim shqetësimin tonë me reagimin e disa organizatave joqeveritare në qytetin e Ferizajit të cilët në vend se që nga komuna të kërkojnë më shumë punë dhe përkujdes, si për njerëzit ashtu dhe për kafshët, zgjidhjen e problemit e shohin në shfarosjen e kafshëve.
I përkujtojmë autoritetet komunale që veprime të tilla barbare nuk përkojnë me aspiratën historike të vendit tonë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane si dhe paraqesin një shenjë të dobësisë dhe paaftësisë sonë për të siguruar kushte minimale për të gjithë” përfundon komunikata e PARK.