Seanca, ku Hashim Thaçi do të betohet si president i vendit këtë të enjte, nuk do ta sjell Vetëvendosjen në Kuvend.
Ata janë deklaruar se nuk do të jenë të pranishëm në këtë seancë, e as në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të premten.
Sipas Vetëvendosjes, vetëm çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe dhe marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, do të mund t’i kthejë ata në Kuvend, dhe atë vetëm për të kundërshtuar e protestuar.
Adonis Tahiri nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë për KosovaPress se inaugurimi i presidentit në shesh është absurd dhe se nuk e njohin Thaçin si president i vendit.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk do të merr pjesë as ditën kur do të betohet ai në Kuvend, e aq më pak në inaugurimin e ri në shesh. Për ne, zoti Thaçi asnjëherë nuk do të jetë president i Republikës së Kosovës. Ne e kemi parë mënyrën se si është zgjedhur ai, me sa policë është zgjedhë brenda dhe jashtë Kuvendit, dhe me snajperistë mbi Kuvend, duke bërë presion mbi deputetë, gjithashtu edhe mbi protestues. Inaugurimi i tij në shesh, flet për një absurd tjetër për vetpërceptimin e tij, për madhështinë e tij, e cila realisht nuk ekziston. Për këtë arsye ne nuk do të jemi pjesë e një inaugurimi të tillë, e pjesë e seancës ku do të betohet”, thotë Tahiri.
Duke folur për qëndrimet e Vetëvendosjes, por edhe të opozitës së bashkuar, Tahiri tha se fokusi i tyre është të kundërshtojnë vendimet e Qeverisë së Kosovës, që ata i konsiderojnë të dëmshme për vendin.
Tre partitë opozitare në vend, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë kundërshtuar zgjedhjen e Thaçit president duke hedhur gaz lotsjellës në seancën e 26 shkurtit, që po mbahej për të votuar zgjedhjen e presidentit.
Ndërkohë, aktivistë e përkrahës të opozitës protestuan jashtë ndërtesës së Kuvendit.
“Ne gjithashtu kemi thënë që marrim pjesë në Kuvend vetëm për tema shumë të rëndësishme si për shembull nëse vije si temë statusi i ‘Zajednices’ apo tentimi për ta ratifikuar demarkacionin me Malin e Zi, me ç’rast ne do të protestojmë dhe nuk do ta lejojmë një gjë të tillë. Ne konsiderojmë se fokusi jonë si Lëvizje Vetëvendosje dhe si opozitë në përgjithësi, duhet të jetë tek Qeveria e Kosovës dhe tek vendimet e dëmshme që po i sjell ai”, tha Tahiri.
Sipas tij aktivitetet e opozitës kundër vendimeve të Qeverisë do të vazhdojnë.
Të enjten, në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seanca solemne në të cilën do të bëhet betimi i Hashim Thaçit si president i Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, një ditë më vonë, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë do të mbahet ceremonia e inaugurimit të presidentit ku do t’i dorëzohet detyra nga presidentja në shkuarje Atifete Jahjaga ku të ftuar janë zyrtarë të shteteve mike të Kosovës.
Në Kuvend nuk do të marrë pjesë as AAK-ja pasi që deputetët e kësaj partie kanë vendosur t’i bojkotojnë seancat.