Ferizaj.12.10.2017. Prej muajit të ardhshëm, nxënësit e shkollës së mesme të agrobiznesit dhe teknologjisë ‘’Zenel Hajdini’’, të cilët kanë drejtimin e përpunimit të drurit, praktikën do ta kryejnë nëpër firma private dhe do të paguhen. Ky lajm i mirë për nxënësit, u bë i ditur sot me rastin e një takimi që patën drejtues të kësaj shkolle me menaxherë të tri bizneseve ferizajase që merren me këtë veprimtari dhe me zyrtarë të Zyrës zvicërane në Kosovë, të cilët do ta zbatojnë këtë projekt.
Drejtori i shkollës “Zenel Hajdini” Abdullah Imeri, tha se kjo nismë është e mirëseardhur për shkollën, pasi nxënësit pas përfundimit të shkollës së mesme do të punësohen në firmat që do ta kryejnë praktikën gjatës kohës sa vijojnë mësimet.
“Nga ky takim u pa dhe u bisedua që drejtimet të hapen në bashkëpunim me kërkesat e tregut, pasi që drejtimet që kanë qenë këtu më herët nuk i kanë përgatitur nxënësit për tregun dhe trendet që e përcjellin firmat vendore nëpër punëtoritë e tyre”, tha drejtori i shkollës, Abdullah Imeri.
Këtë projekt që në Ferizaj për herë të parë po nisë ta zbatoj Zyra zvicërane në Kosovë, u tha se është më jetëgjatë sesa projektet e zakonshme. Zyrtarët e projektit “Rritja e punësimit për të rinjtë’’ nga Zyra zvicërane, njoftuan se nxënësit do të paguhen direkt nga firmat, ndërkaq firmat do të ndihmohen me trajnime nga kjo zyrë.
“Zyra zvicërane e ka një politikë e cila nuk lejon që të financojmë direkt, por këtu lajmi i mirë është që sektori privat është i gatshëm vetë që të paguaj këta nxënës dhe kjo për neve ofron një siguri, qëndrueshmëri që edhe pas projektit shkolla do të afrohet edhe më shumë me sektorin privat. Ne do ta monitorojmë procesin dhe do shqyrtojmë mundësitë bashkë më Ministrinë e Arsimit ta formalizojmë këtë projket në të gjitha komunat dhe shkollat profesionale”, tha Lea Shllaku.
Firmat private që sot ofruan bashkëpunim në këtë projekt të Zyrës zvicërane dhe shkollës së agrobiznesit dhe teknologjisë janë ‘’Sela Impex’’, “Tefik Çanga” dhe “Daçi”. Tash për tash, shkolla ‘’Zenel Hajdini’’ në drejtimin e përpunimit të drurit ka rreth 20 nxënës në klasën e XII-të, transmeton Televizioni Tema.