26,12,2024

Një komb e disa kombëtare

Must Read

Është një komb, një popull dhe një gjuhë, por i ndarë në dy shtete. Edhe sa i përket aspektit sportiv, më saktësisht sportit të futbollit, kombi përbëhet nga dy shtete, Kombëtarja e Shqipërisë e themeluar në vitin 1930 dhe përfaqësuesja e Kosovës e cila është jetësuar pas përfundimit të luftës së viteve 1998/99 në Kosovë.

Është shkruar, folur, debatuar e diskutuar se a duhet që Shqipëria e Kosova të shkrihen dhe ta formojnë një kombëtare apo duhet të vazhdojnë të luajnë dhe ta përfaqësojnë vendin si të ndara, por deri më tash, nuk është arritur asnjë rezultat rreth kësaj çështje nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Shqipëria ka përfaqësuar gjithë kombin shqiptar që nga themelimi i kombëtares në vitin 1930. Por, tani, pasi që Kosova është pranuar në dy organizatat ndërkombëtare të futbollit UEFA dhe FIFA më 3 dhe 13 Maj të këtij viti, kombi shqiptar edhe zyrtarisht do të përfaqësohet me dy reprezentacione në arenën ndërkombëtare.

E, sa do të arrijnë suksese si të ndara, këtë më së miri do ta dëshmojë e ardhmja në fushë dhe në garat ndërkombëtare. Mirëpo, përveç Shqipërisë dhe Kosovës, futbollistët shqiptarë i përfaqësojnë edhe disa kombëtare të tjera europiane. Dhe, me këtë fakt, del që futbollistët shqiptarë përfaqësojnë jo një e dy, por edhe disa kombëtare.

Përveç transferimeve prej skuadrave shqiptare drejt atyre europiane, një numër i futbollistëve shqiptarë që sot përfaqësojnë kombëtaret e ndryshme europiane, e kanë filluar karrierën në po këto shtete.Shpërnguljet e popullsisë shqiptare gjatë periudhave historike për shkaqe rreziku nga lufta, për shkaqe ekonomike, politike, sociale e të ngjashme, kanë shtyrë që familjet shqiptare të vendosen në po ato shtete ku kanë mbërritur.

Dhe, pikërisht nga këto shpërngulje, shumë prej futbollistëve nga Shqipëria e Kosova e kanë filluar karrierën në skuadrat europiane dhe me kalimin e kohës ata kanë arritur që të kenë suksese me këto skuadra ku kanë luajtur e vepruar. Dhe, së këndejmi, duke parë që futbolli i Kosovës është i izoluar dhe duke e parë një Shqipëri jo aq angazhuese dhe serioze për t’i afruar lojtarët shqiptarë afër vetes, ka shtyrë që përveç skuadrave europiane, ata t’i zgjedhin dhe t’i përfaqësojnë edhe kombëtaret e huaja ku ata e kanë fituar nënshtetësinë.

Sa i përket kësaj teme që ka bërë bujë që një kohë të gjatë dhe si duket do të vazhdojë edhe më tutje, se sa mundet që një kombëtare të ketë suksese si e bashkuar apo e ndarë në dysh, atëherë duhet t’ia hedhim një sy historisë së kombëtareve të tjera në futboll, dhe të shohim se çfarë suksese kanë pasur si kombëtare të ndara dhe çfarë suksese si kombëtare të bashkuara.

Një prej rasteve nga e kaluara rreth kësaj teme, është bashkimi i Gjermanive, Gjermanisë Perëndimore dhe Gjermanisë Lindore.Deri në vitin 1990, Gjermania Perëndimore dhe ajo Lindore kishin luajtur si të ndara.Gjermania Perëndimore kishte fituar tri herë Kampionatin Botëror në vitin 1954, 1974 dhe më 1990.Ndërkaq, tri herë ishte nënkampion bote në vitin 1966, 1982 dhe 1986, kurse në vitin 1970 kishte përfunduar në vendin e tretë. Po ashtu, kishte fituar edhe dy herë Kampionatin Europian në vitin 1972 dhe 1980, kurse në vitin 1976 kishte përfunduar si nënkampion europian. Mirëpo, ky sukses nuk mund të thuhet për Gjermaninë Lindore, e cila suksesin e vetëm e kishte arritur në Lojërat Olimpike në vitin 1976 duke fituar medaljen e artë.

Pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989, Gjermania Lindore u bashkua me atë Perëndimore dhe pas vitit 1990 e përfaqësojnë vendin si një kombëtare e vetme. Prej bashkimit të Gjermanive, në bazë të suksesve në garat ndërkombëtare, kombëtarja gjermane është njëra nga kombëtaret më forta në botë. Në vitin 1992, Gjermania e bashkuar përfundoi si nënkampion europe, kurse në vitin 1996, arritën që ta fitojnë Kampionatin Europian, ndërkaq në vitin 2008 sërish përfunduan si nënkampion europe. Sa i përket Kampionatit Botëror, gjermanët në vitin 2002 ishin nënkampion bote, në vitin 2006 dhe 2010 përfunduan në vendin e tretë. Ndërkohë, në vitin 2014 në Brazil, Gjermania triumfoi duke fituar Kampionatin Botëror.

Rasti tjetër i kombëtareve të ndara, është Britania e Madhe. Britania e Madhe përfaqësohet nga tri reprezentacione, Anglia, Skocia dhe Walesi, pa përfshirë Irlandën Veriore që është njësi shtetërore e Britanisë së Madhe, por që ka kufi tokësor me Irlandën. Këto tri reprezentacione asnjëherë nuk kanë garuar si të bashkuara në garat më të mëdha ndërkombëtare siç është Kampionati Botëror apo Kampionati Europian, dhe i vetmi sukses që këto tri shtete e kanë arritur si të ndara, është triumfi i Anglisë në Kampionatin Botëror në vitin 1966, dhe vendi i tretë në Kampionatin Europian në vitin 1968. Skocia ka arritur që tetë herë të kualifikohet në Kampionatin Botëror, por që asnjëherë nuk ka arritur që të kalojë përtej fazës grupore, derisa në Kampionatin Europian, ka arritur dy herë të jetë pjesëmarrëse, por që sërish ka dështuar të kalojë fazën grupore. Ndërkohë, Walesi, sukseset e vetme që i ka, është kualifikimi në Kampionatin Botëror në vitin 1958, por që nuk kishte arritur më shumë se në çerekfinale dhe suksesi tjetër, është sigurimi i biletës për Kampionatin Europian që mbahet në Francë gjatë periudhës qershor-korrik të këtij viti.Nga këto tri shtete, veçohet viti 1958, ku të trija ishin pjesëmarrëse në Kampionatin Botëror, por asnjëra nuk kishte arritur që të triumfoi.Anglia e Skocia ishin eliminuar gjatë fazës grupore, ndërkaq Walesi në çerekfinale.

Mirëpo, e treguar edhe më lartë, çështja tjetër është se, futbollistët shqiptarë nuk përfaqësojnë vetëm Shqipërinë e Kosovën, por ata vazhdojnë të aktivizohen edhe në disa kombëtare të tjera.Sipas regjistrimit që kanë bërë 1373 klube nga 50-të shtete të europës gjatë muajit gusht të vitit të kaluar për edicionin 2015/16, numri i futbollistëve shqiptarë që aktivizohen në këto klube arrin shifrën 258-të. Pa përfshirë këtu Shqipërinë e Kosovën, meqënse ligat e këtyre dyjave përbëhen tërësisht me futbollistë shqiptarë dhe pa Maqedoninë ku dy ligat e para përbëhen kryesisht nga futbollistët shqiptarë. Prej 258-të futbollistëve, 11 janë portier, 48 mbrojtës, 114 luajnë në pozitën e mesfushës, kurse 85 në fazën e sulmit. E, mbi supet e këtyre 258-të futbollistëve, përveç atdheut amë Shqipërisë dhe përfaqësueses së Kosovës, llogarisin edhe tetë shtete të tjera. Danimarkën e përfaqëson Riza Durmishi, Norvegjinë: Valon Berisha, Finlandën: Mehmet Hetemaj e Përparim Hetemaj, Gjermaninë: Shkodran Mustafi, Belgjikën: Adnan Januzaj, Malin e Zi: Fatos Beqiraj, Maqedoninë: Agim Ibraimi, Armend Alimi dhe Leonard Zhuta, ndërsa në kombëtaren e Zvicrës luajnë shtatë shqiptarë: Xherdan Shaqiri, Admir Mehmedi, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Shani Tarashaj dhe Pajtim Kasami.

Futbollistët shqiptarë që aktualisht po luajnë për shtetet e tjera, e kanë edhe nënshtetësinë e atyre shteteve. Sipas regjistrimit të futbollistëve nga ana e klubeve në gushtin e vitit të kaluar për edicionin 2015/16, në 100 ligat e para dhe të dyta nga 50-të shtete europiane, 96-të futbollistë e kanë nënshtetësinë e Shqipërisë dhe 16-të atë të Kosovës. Ndërkohë, prej shteteve tjera me numër më të madh janë, 43 futbollistë me nënshtetësi zvicerane, 24 me atë suedeze, 14-të finlandeze dhe 13-të me nënshtetësi gjermane, e çka nënkupton se ata në çdo kohë mund të zgjedhin një kombëtare tjetër në vend të Shqipërisë apo Kosovës, pavarësisht që disa prej tyre e kanë zgjedhur Shqipërinë e disa Kosovën.

Zgjidhjen rreth çështjes se si duhet vepruar dy reprezentacione të një kombi, nga këndvështrime të ndryshme, e tregon e kaluara e shteteve të tjera, dhe bashkimi ose mosbashkimi i tyre për ta përfaqësuar vendin në garat ndërkombëtare, i qartëson gjërat më mirë. Një Gjermani që para viteve ’90-ta garonte e ndarë dysh, nuk u sillte suksese të dy Gjermanive, por pas bashkimit, kanë arritur mjaftë suksese së bashku, dhe tani Gjermania përfaqësohet me vetëm një kombëtare në futboll. Në anën tjetër, Britania e Madhe që garon me tri reprezentacione, Anglinë, Skocinë, Walesin, të vetmin sukses e ka nga viti 1966 ku Anglia e kishte fituar Kupën e Botës.

Derisa nga njëra anë Shqipëria dhe Kosova gjenden në një udhëkryq se si të garojnë, të ndara apo të bashkuara në një të ardhme, në anën tjetër futbollistët shqiptarë vazhdojnë t’i përfaqësojnë shtetet e tjera europiane.Derisa Shqipëria dhe Kosova po vazhdojnë me ritëm të ngadalësuar për t’i afruar futbollistët shqiptarë afër vetes dhe për t’i vëzhguar gjatë gjithë kohës ku ata luajnë me ekipet e tyre, talentët e futbollit nga viset shqiptare, vazhdojnë të shpërndahen nëpër shtigjet e botës së futbollit e nga të cilët kombëtaret e tjera po arrijnë suksese në garat ndërkombëtare.

Shkruar nga Edita Gashi dhe Gëzim Olluri

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img