Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se ka mbajtur sot pasdite kuvendin zgjedhor në degën e Kaçanikut, pas përmbylljes së zgjedhjeve në 24 nëndegë të kësaj komune.
“Në garën për kryetarë të degës kandiduan Besim Ilazi dhe Azem Guri, ndërsa pas numërimit të votave të 157 delegatëve, Besim Ilazi u konfirmua kryetar i degës së PDK-së në Kaçanik, derisa mori mbështetjen e plotë për bashkëpunim edhe nga kundër kandidati i tij, Azem Guri”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga PDK.
“Nënkryetari i PDK-së, Bajrush Xhemajli tha para delegatëve se zgjedhjet në Partinë Demokratike janë duke dëshmuar sërish adresën më të sigurt politike të qytetarëve të Kosovës. Xhemajli tha se platforma politike, Dekada e Re, e ideuar nga kryetari Kadri Veseli, do të fuqizojë dhe zhvillojë Republikën e Kosovës në rrugën e sigurt drejt integrimeve në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, thekson njoftimi.
Pas zgjedhjes së kryetarit të degës së PDK-së në Kaçanik, delegatët pjesëmarrës zgjodhën edhe 45 anëtarët e këshillit drejtues të degës si dhe 14 delegatë për konventën qendrore të partisë.
Partia Demokratike e Kosovës deri tani ka mbajtur zgjedhjet në rreth 300 nëndegë të saj ndërsa deri në fund të procesit zgjedhor do të mbahen edhe zgjedhjet në 900 nëndegë, për të përmbyllur zgjedhjet me konventën qendrore të partisë ku do të zgjidhet edhe Kryetari, Këshilli drejtues dhe Kryesia qendrore.