Të izoluar në mes të pyllit, prej më shumë se gjashtë muajsh të vdekur. Një vendngjarje krejtësisht misterioze.
Kufomat e dekompozuara të një mashkulli dhe femre u gjetën një ditë më parë në vendin e njohur si “Roga e Kermes” në Tropojë.
Edhe pse paraprakisht policia thotë se në trupat e tyre nuk janë gjetur plagë me armë zjarri, burime konfidenciale bëjnë me dije se burrë e grua janë gjetur të lidhur me litar.
Terreni i vështirë shton dyshimet se dy personat po fshiheshin nga policia. Burime jozyrtare policore thonë se kufoma e mashkullit i përket Agim Madanit, emër tepër i njohur nga policia shqiptare dhe ajo kosovare.
Madani ish kthyer përgjatë viteve të fundit në makthin e tyre, për shkak të grabitjeve të dhunshme në të dy shtetet.
Ai akuzohet edhe për një vrasje afro dy vite më parë. Gruaja, e cila u gjet me të, dyshohet se i përket A.B, një banoreje nga një fshat afër vendngjarjes.
Këto të dhëna nuk konfirmohen zyrtarisht nga policia, e cila mbetet në pritje të rezultateve përfundimtare të ADN-së, rezultate që pritet të zbardhin një prej ngjarjeve më të rënda të viteve të fundit në këtë zonë.