04,10,2024

‘NEWBORN’ po merr formë, kanë filluar punimet (Foto)

Must Read

Obelisku i vendosur para Pallatit të Rinisë në Prishtinë, NEWBORN i cili tashmë është bërë sinonim i Pavarësisë së Kosovës, edhe këtë vit do të ndryshojë pamjen. Për një gjë të tillë, puna veç se ka filluar, dhe ngjyrat bardh e kaltër me të cilat shkronjat ishin ngjyrosur vitin e kaluar, tashmë ishin fshirë për të sjellë një pamje krejtësisht të re.

Kreatori i saj, Fisnik Ismaili, ka treguar për KultPlus, më shumë rreth idesë për këtë vit e cila sipas tij do të jetë ndryshe nga vitet e kaluara. Ndryshimi qëndron pikërisht në rrëzimin e dy prej shkronjave, ku shkronjat “N” dhe “Ë” do të rrëzohen dhe poshtë tyre do të shkruhet mesazhi “No Walls”.shkruan KultPlus.

NEWBORN çdo vit përkon me një problem të vendit tonë, edhe kësaj radhe përkon me situatën politike në Republikën e Kosovës, por Ismaili tregoi që ky problem nuk është vetëm në Kosovë por në gjithë botën. NEWBORN’ kësaj radhe do të përçojë një mesazh të fortë, kundërshtimin e mureve, apo çfarëdolloj ndarjeje që ndodh sot mes njerëzimit.

“Këtë vit ideja ka të bëjë me muret, më saktësisht kundër mureve. Ideja quhet “NO WALLS” dhe ne thjesht po dëshirojmë ta shndërrojmë NewBorn në muri dhe t’i rrëzojmë dy prej shkronjave si simbolikë që ne po dëshirojmë të rrëzojmë mure. Me këto mure nënkuptojmë jo vetëm murin në Mitrovicë, por gjitha muret nëpër botë që sot janë bërë aktualitet që po e limitojnë lirinë e lëvizjes, si në SHBA, e poashtu edhe në Evropë e cila po refuzon njerëz, po refuzon refugjatë, Evropa po ndërton mure ndaj Kosovës duke mos i liberalizuar vizat”, ka thënë Ismaili për KultPlus, i cili tutje tha se e gjithë kjo ka të bëjë me dëshirën për t’i rrëzuar këto mure dhe të krijohet një botë e cila nuk ka kufij dhe nuk i limiton njerëzit të lëvizin lirshëm.

Ngjyrat që do të përdoren këtë vit janë ngjyra e hirit- ngjyra e betonit si dhe disa tulla diku diku. Tashmë puna ka filluar, ku dora e parë veç ka përfunduar, ndërsa nesër pritet rrëzimi i shkronjave, pasnesër do të detajizohen gjërat dhe ditën e 17 shkurtit gjithçka do të jetë e gatshme.

Vitin e kaluar gjithçka ishte bërë në bazë vullnetare, por kësaj radhe duke pasur parasysh shpenzimet, është kërkuar edhe një shumë simbolike prej 3 mijë euro nga Ministria e Kulturës, por të cilët ende nuk kanë kthyer një përgjigje. “Vitin e kaluar e kemi bërë në baza vullnetare pa e dëmtuar buxhetin e shtetit, ndërsa këtë vit meqë do të ketë më shumë shpenzime, sepse duhet të marrim vinça për ti rrëzuar shkronjat, si dhe murator profesionit, andaj kemi bërë një kërkesë në Ministrinë e Kulturës për të na ndihmuar me fonde”, ka thënë për fund ideatori i NEWBORN, Fisniki Ismaili. /KultPlus.com

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Zgjedhen prorektorët e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj

Sot, në mbledhjen e mbajtur me datë 30.09.2024, Këshilli Drejtues i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF),...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img