16,07,2024

Nëse jo në prill, nuk do të ketë më protestë opozitare

Must Read

opozita-po-organizohet-p-euml-r-protest-euml_hd-848x4782

​Edhe pas një jave nuk po mbahet protesta e opozitës, e paralajmëruar nga lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, një ditë pas dështimit të protestës së 26 marsit.

Përfaqësues të partive opozitare kanë treguar për KosovaPress se protesta e opozitës do të mbahet shumë shpejtë, dhe se janë duke diskutuar për datën e mbajtjes së kësaj proteste. Nëse në muajin prill nuk do të mbahet protesta, përfaqësues nga NISMA thonë se nuk do të ketë më protestë opozitare.

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Zgjim Hyseni tha se protesta e opozitës dhe format e tjera të kundërshtimit do të vazhdojnë, vetëm se ende nuk është vendosur për datën e protestës.

Sipas Hysenit, tri partitë opozitare, përveç datës së protestës janë duke diskutuar edhe për konsolidimin e opozitës dhe zgjerimin e saj me anëtarë të shoqërisë civile drejt krijimit të një alternative të përbashkët për rrëzimin e Qeverisë.

Hyseni: Po diskutojmë për konsolidimin e opozitës

“Ne e dimë me sigur i që protestat, por edhe format të tjera të kundërshtimit do të vazhdojnë. Mirëpo, përpara caktimit të një date shumë të afërt të protestave ne jemi në diskutim me subjektet tjera opozitare drejt konsolidimit të opozitës por edhe zgjerimit të saj me njerëz e organizata të shoqërisë civile, drejt krijimit të një alternative të përbashkët, alternativë kjo që do të bashkohet drejt rrëzimit të kësaj Qeverie. Por, në të njëjtën kohë edhe t’i hapë një perspektivë të re Kosovës”, ka thënë Hyseni.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmeti Isufi, ka ripërsëritur edhe njëherë atë se AAK-ja ka qenë e gatshme që protesta të mbahet edhe me 26 mars. Mirëpo, sipas tij, për shkak të harmonizimit të qëndrimeve të opozitës është dashur kohë, në mënyrë që të tri partitë politike të kenë qëndrime të përbashkëta.

Edhe Isufi tha se protesta e opozitës do të jetë në një të ardhme të shpejtë. Brenda kësaj jave do të caktohet për protestën e radhës, tha ai.

Isufi: Ne kemi qenë të gatshëm të mbajmë protestën edhe me 26 mars

“Ne kemi qenë të gatshëm edhe me 26 mars ta mbajmë protestën, mirëpo për shkak të harmonizimit të qëndrimeve të opozitës kemi lejuar një kohë që të mundemi të kemi qëndrime të përbashkëta në mënyrë që të dalim me një protestë e cila do të jetë masovike. Dhe do të bëhet, por po presim momentin kur i harmonizojmë të gjitha qëndrimet se si duhet të mbahet pastaj do ta mbajmë. Pritet shumë shpejtë të mbahet. Nuk po saktësojë datë për shkak se ende nuk jemi konsultuar për datën e saktë, por do të jetë një protestë shumë e shpejtë, për shkak se është bërë një kohë që është ndërprerë protesta…Ne deri më tani e kemi mbajtur si opozitë, do të vazhdojmë të mbajmë si opozitë”, tha Isufi.

Ai thekson se AAK-ja është për një protestë masovike, e cila garanton prezencën e qytetarëve.

Isufi: Jemi për një protestë masovike, me i tregu Qeverisë që janë kundër saj

“Janë tri parti politike që kanë nuanca ndërmjet vete, por megjithatë në temat kryesore jemi bashkë. Te protesta kur është fjala, ne jemi për një protestë masive e cila garanton prezencë të qytetarëve dhe po ashtu i bënë me dije Qeverisë që shumica tani janë kundër kësaj Qeveri – edhe janë që në një farë mënyre të masivizohet protesta . Kjo mënyrë tregon se fuqia ekziston në anën e opozitës, prandaj, modalitetet se di duhet të bëhet, metodat, mjetet që duhet të përdoren në protesta jemi duke i diskutuar”, tha Isufi për KosovaPress/

Edhe NISMA për Kosovën thotë se këtë javë do të vendoset për datën e protestës. Në të kundërtën, Bilal l Sherifi nga NISMA tha se nëse protesta e opozitës nuk do të mbahet në muajin prill, nuk do të ketë më protestë opozitare.

Sherifi: Do të jetë në muajin prill, nëse jo atëherë nuk do të ketë më protestë opozitare

“Javë më parë është thënë që javët në vazhdim do të vendoset për protestën se kur do të mbahet protesta. Dhe diskutimet brenda partnerëve të koalicionit opozitar po vazhdojnë për të caktuar datën e ardhshme të protestës. Pra, nuk është se kemi lëvizur nga qëllimet tona për të realizuar një protestë, mirëpo jemi duke e shtyrë më shumë kohë se që kemi planifikuar që ta shtyjmë. Do të thotë protesta po na shtyhet më shumë se që kemi dashur ne. Mendoj se po i shihni tashmë se në plan paralel të angazhimit për të kundërshtuar dy marrëveshjet, kanë dalë edhe bisedimet për mundësinë e një alternative të përbashkët, dhe si duket këto të dyja po ecin paralel. Çështja e ecjes përpara të ndërtimit të një alternative duhet bisedohet veças, ndërsa kundërshtimi i kësaj Qeverie dhe marrëveshja duhet të jetë prioritet i tri partive opozitare…Mendoj se duhet të jetë në muajin prill dhe nëse nuk ka në muajin prill nuk do të ketë fare, së paku jo nga tri partitë opozitare”, tha Sherfi.

Edhe Sherifi thotë se janë bashkë për kundërshtimin e dy marrëveshjeve, atë të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi. Por, për atë që nuk është arritur marrëveshje mes opozitës, Sherifi tha se është lista e përbashkët zgjedhore /K.Press

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohet një person për përdorim të armës

Policia e stacionit në Ferizaj me datën 15.07.2024 rreth orës 23:30 ka pranuar një informacion se në rrugën  ‘’Vëllezërit...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img