Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në shënimin e tetë vjetorit të Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Sipas një komunikate të Kryeministrisë, para të pranishmëve, kryeministri Mustafa tha se Kushtetuta e Kosovës, jo vetëm në mënyrë simbolike por edhe në formë përmbajtjesore është sinonim i veprimtarisë, luftës dhe përpjekjeve të shumë gjeneratave për liri dhe pavarësi.
Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa në ceremoni:
Më lejoni që fillimisht t’iu uroj të gjithëve tetë vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, akt ky i cili i vuri themelet e shtetit demokratik të Kosovës. Kushtetuta jonë, jo vetëm në mënyrë simbolike, por edhe në formë përmbajtjesore, është sinonim i veprimtarisë, luftës dhe përpjekjeve të shumë gjeneratave për liri dhe pavarësi. Në faqet e saj përvijojnë idetë dhe vlerat nga veprimtaria patriotike e shumë burrave dhe grave të Kosovës, nga përkushtimi dhe flijimi i shumë të burgosurve politikë, studentëve, minatorëve të Trepçës, Kushtetutës së Kaçanikut, luftëtarëve të UÇK-së, dëshmorëve dhe martirëve, intelektualëve dhe shumë dijetarëve tanë. Për më tepër Kushtetuta sublimon përkushtimin e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova dhe të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
Kushtetuta jonë në formën e saj specifike, po ashtu pasqyron arkitekturën e shtetit tonë, të ideuar nga shumë gjenerata dhe të vulosur nga përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Dëshiroj, po ashtu, të theksoj rolin e veçantë që kanë luajtur organet e pavarura të drejtësisë, Gjykata Kushtetuese, gjyqtarët dhe prokurorët tanë në të gjitha nivelet, në mbrojtje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë gjatë gjithë këtyre viteve.
Nuk mund ta kapërcej e të mos e theksoj faktin se institucionet e Republikës së Kosovës, por edhe subjektet politike, në të gjitha rastet i kanë pranuar dhe i kanë zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ju siguroj në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, se do të vazhdojmë t’i zbatojmë edhe në të ardhmen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si autoritet përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës.
Tetë vite më parë, me miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ne kemi vendosur themelet e një shteti demokratik, paqedashës, i cili garanton liritë dhe të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Jemi përballur me shumë sfida të ndërtimit të institucioneve të reja demokratike, si dhe me ekuilibrimin e ndarjes së pushtetit dhe përgjegjësive, por edhe me shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, sfida me të cilat ne po vazhdojmë të ballafaqohemi edhe më tutje.
Kushtetuta jonë ka vendosur standardet më të larta demokratike të garantimit dhe të mbrojtjes së të drejtave themelore dhe lirive të qytetarëve, si model më i avancuar i demokracisë. Andaj dëshiroj të shfrytëzoj rastin që, veçanërisht të falënderoj dhe të ftoj Ministrinë e Drejtësisë dhe të gjithë bartësit e drejtësisë, gjyqtarët, prokurorët, pjesëtarët e policisë, avokatët, noterët, ndërmjetësuesit, përmbaruesit privat, njëkohësisht edhe Avokatin e Popullit dhe përfaqësuesit e EULEX-it, për punë të mbarë në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Mbrojtja në praktikë e të drejtave të garantuara me Kushtetutë është obligim jo vetëm i institucioneve të drejtësisë, por edhe i të gjitha institucioneve tjera dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Ne si qytetarë të Kosovës kemi detyrim të mbrojmë dhe respektojmë zbatimin e Kushtetutës, në të gjitha fushat e jetës për qytetarët tanë. Respektimi i Kushtetutës dhe zbatimi i ligjit janë parakushte themelore të ndërtimit të një shoqërie demokratike, të zhvilluar, pjesë e familjes evropiane dhe euroatlantike, dhe në emër të Qeverisë i inkurajoj të gjithë që asnjëherë të mos bëjnë kompromis në raport me të drejtat kushtetuese të garantuara për secilin qytetar të Republikës së Kosovës.
Respektimi i Kushtetutës do të jetë jo vetëm kulturë, por edhe obligim i të gjithë neve, sepse duke e respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, ne ju shërbejmë më së miri qytetarëve dhe çojmë në vend idetë e të gjithë atyre që u flijuan për pavarësinë e Kosovës.
Unë dhe Qeveria që drejtoj, do të jemi të përkushtuar në kultivimin e frymës pozitive në ndërtimin dhe demokratizimin e institucioneve tona të reja, me një përkushtim për shtetin, për zhvillimin ekomomik dhe social, për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Të gjitha këto ne mund t’i arrijmë duke respektuar themelet e shtetit të së drejtës dhe duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Prandaj, më lejoni që edhe njëherë t’ju uroj këtë tetë vjetor të rëndësishëm të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.