09,10,2024

Mogherini në Shkup: Kujdes me retorikën nxitëse

Must Read

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ka bërë thirrje në Shkup për shmangien e retorikës nxitëse që sipas saj mund të çojë jo vetëm në krizë ndëretnike por edhe në krizë gjeopolitike. “Kërkova nga Presidenti të reflektojë të rikthejë vendimin e tij në interes të të gjithë qytetarëve të këtij shteti dhe ashtu siç e thotë kushtetuta t’ua besoj mandatin partive që kanë shumicën në Parlament.Të gjithë liderët politik kanë për detyrë të zbusin retorikën dhe të shmangin shndërrimin e krizës institucionale në krizë ndëretnike dhe më e keqja në krizë gjeopolitike”, ka thënë eurokomisionerja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

“Maqedonia është një shtet kompleks, në një rajon kompleks dhe ne jetojmë në kohë komplekse. Andaj nuk na duhet benzinë për shkak se ne kemi shuar disa zjarre tashmë. Sinqerisht besoj se secili do të japë maksimumin e përgjegjësisë dhe do të shmangë çdo retorikë përçarëse ose konfrontuese në këtë shoqëri”, ka deklaruar Mogerini.

Bejli: Uashingtoni i dëshpëruar nga vendimi i presidentit

Uashingtoni është i dëshpëruar nga vendimi i presidentit Ivanov për mos dorëzimin e mandatit për formimin e qeverisë së re, kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, ka thënë ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Xhes Bejli. Ai ka thënë se vendimi i Ivanovit nuk përputhet me parimet demokratike dhe sundimin e së drejtës si vlera thelbësore për integrimin euroatlantik të këtij vendi.

“Si partnerë dhe miq strategjikë të Maqedonisë, duke e respektuar plotësisht edhe sovranitetin e shtetit, i bëjmë thirrje presidentit Ivanov që ta rishqyrtojë këtë vendim. Në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje fqinjëve të Maqedonisë që të jenë të përmbajtur dhe të tregojnë konstruktivitet, duke pasur parasysh situatën e ndjeshme politike në Maqedoni “, është shprehur ambasadori Bejli.

Opozita kërkon mandatin, pozita zgjedhje të reja

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev vlerëson se vendimi antikushtetues i Presidentit Ivanov rrezikon përshkallëzimin e situatës. Këtë vlerësim Zaev ia ka kumtuar diplomates Federica Mogherinit. “67 firmat e deputetëve janë bazë themelore demokratike për marrjen e mandatin për nisjen e bisedimeve për qeverinë e re. Pritjet e BE-së janë , nëse qeveria e re tregon rezultate për reforma, BE-ja nëpërmjet institucioneve do të ketë më shumë arsye të përshpejtojë procesin e fillimit të bisedimeve me Maqedoninë për anëtarësimin e saj të plotë në BE”, ka deklaruar lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

VMRO-DPMNE në takimin me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini e ka përsëritur vlerësimin se mënyra më e mirë për tejkalimin e krizës politike është zbatimi i zgjedhjeve të reja parlamentare.

Ahmeti: Të mos lejojmë kthimin e krizës politike në atë ndëretnike

Nga BDI kanë shprehur përkushtimin për të ndihmuar nxjerrjen e vendit nga kriza dhe kanë kërkuar që kriza institucionale të mos shndërrohet në krizë ndëretnike. “Kriza institucionale dhe sistemore nuk guxon të kthehet në krizë ndëretnike dhe ne do të mbetemi të përkushtuar për të arritur zgjidhje politike. Sundimi i së drejtës, shteti ligjor, institucione të besueshme, përmbyllja e Marrëveshjes së Ohrit, marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe ndër-fqinjësore si dhe integrimi në NATO dhe BE janë prioritete tona”, ka deklaruar kryetari i BDI.

Kasami: Maqedonia në krizë të thellë institucionale

Kryetari Lëvizjes BESA Bilall Kasami për krizën e thellë politike ka fajsuar qeverisjen VMRO-BDI. “Maqedonia nuk është e vetmuar në këtë krizë të thellë. Ne vlerësojmë lartë përkrahjen e BE-së dhe besojmë se Maqedonia nuk është e vetme në këtë proces”, është shprehur Kasami.

Sela: Platforma shqiptare nuk është kundër maqedonasve

Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët ka njoftuar Mogherinin, se platforma shqiptare nuk është e orientuar kundër maqedonasve, por është e drejtë legjitime e kërkuar gjatë 25 vjetëve të fundit. “Gjuha shqipe nuk është problem në krizën aktuale, por se ajo shërben për të nxitur qytetarët dhe për të manipuluar me qëllim për të mbrojtur kriminelët dhe për të penguar dekriminalizimin e institucioneve”, thotë Sela.

Thaçi: Konflikti politik po shndërrohet në konflikt etnik

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaqi vlerëson se vendimi skandaloz i Ivanovit na përkujtoi se ne shqiptarët duhet të kërkojmë ndryshimin e Kushtetutës që t’u mundësohet shqiptarëve të jenë të barabartë me maqedonasit. “Shprehim shqetësimin e madh se ky konflikt politik shumë shpejt po shnëndrrohet në konflikt etnik. U apeloj shqiptarëve që të mos bien pre e këtyre provokimeve”,ka thënë Thaçi.

A mund Parlamenti të zgjedhë qeverinë?

Qeveria mund të formohet edhe nëse presidenti Ivanov nuk ia jep mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, thotë profesori universitar Bekim Kadriu. Neni 90 i Kushtetutës parashe,h që nëse presidenti nuk e jep mandatin, parlamenti vetë mund ta zgjedhë Qeverinë. “Partitë politike doemos të vazhdojnë negociatat për Qeverinë, dhe nëse arrihet konsensus për Qeveri, vazhdohet seanca konstituive e Parlamentit, zgjidhet kryetari i saj dhe atëherë kemi një Parlament funksional. Parlamenti si një nga pikat në seancë të caktuar do ta kishte zgjedhjen e Qeverisë, me apo pa mandatin e dhënë nga presidenti Ivanov”, shpjegon profesori Kadriu.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Njoftim nga Komuna e Ferizajt: Këto rrugë do të jenë të mbyllura për shkak të punimeve

Ju njoftojmë se Komuna Ferizajt, praktikisht Drejtoria e Infrastrukturës është në vazhdim të implementimit të projektit të “Bashkimit të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img