29,11,2024

Mjekët kosovarë përshkruajnë antibiotikë, sepse fitojnë pushime falas nga kompanitë farmaceutike

Must Read

Përdorimi i panevojshëm i antibiotikëve mund të shkaktojë rezistencë të baktereve. Në Kosovë keqpërdorimi më i madh i antibiotikëve nga mjekët bëhet tek fëmijët. Për këtë gjë, kompanitë farmaceutike i shpërblejnë mjekët me pushime në deti apo financimin në pjesëmarrje në kongrese

Nëse ndryshimet në gjenet e baktereve do të duhej të ndodhnin pas 30 viteve, keqpërdorimi i antibiotikëve shndërrohet në katalizator dhe mund ta përshpejtojë këtë proces në vetëm 3 vite.

Ky problem global është duke kërcënuar njerëzimin në shekullin 21 dhe Kosova është një nga vendet e rrezikuara. Kështu alarmon mikrobiologu dhe profesori universitar Lul Raka.

Në një bisedë për Gazeta Shneta, Raka thotë se nëse vazhdon keqpërdorimi në këtë nivel, atëherë deri në vitin 2050 më shumë njerëz do të vdesin nga bakteret rezistente sesa nga kanceri. E në botë përgjatë një viti nga kanceri vdesin rreth 8 milionë njerëz, ndërsa nga bakteret parashihet të shkojë deri në 10 milionë.

Raka thotë se 50 për qind e rasteve në botë, antibiotikët përdoren pa nevojë. Ai tregon se antibiotikët përdoren edhe si promotor për rritjen e masës së mishit tek kafshët, çka BE ka ndaluar me ligj në vitin 2007, ndërsa në Kosovë fatkeqësisht një gjë e tillë mund të ndodhë lehtësisht.

Profesori shton se bakteret rezistente mund të përhapen nga lëvizja e njerëzve dhe mallrave. Ai thekson se industria farmaceutike nuk ka prodhuar klasë të re të këtij produkti që 30 vite, për shkak se është vërtetuar se çdo lloj mund të shkaktojë rezistencën tek bakteret. Sipas tij, industria i kushton më shumë vëmendje tregut të barnave që shiten më shumë, si ato për sëmundjet e zemrës apo diabetit që pacientët detyrohen t’i përdorin gjatë gjithë jetës.

Kosova ka hyrë në programin e Qendrës Evropiane për parandalimin e sëmundjeve në vitin 2009. Përgjegjës për këtë program në Kosovë ishte caktuar Lul Raka nga Ministria e Shëndetësisë.

Raka tregon se strategjia dhe plani i veprimit për rezistencë antimikrobike është përgatitur në vitin 2011, derisa vende si Shqipëria, Serbia apo Bosnja ende nuk e kanë një të tillë.

Ai thotë se shteti i Kosovës nuk ka ndarë buxhet të veçantë për ta realizuar këtë strategji dhe e gjithë puna është bërë në baza vullnetare dhe me donacione.

“Sipas raporteve, Turqia është kampion në përdorimin e antibiotikëve, ndërsa Estonia dhe Holanda përdorin më së paku. Pas hulumtimeve tona, Kosova qëndron në vendin e shtatë me përdorimin e antibiotikëve të grupit Cephalosporina, ndërsa jemi kampion në llojin Ceftriaxone”, deklaron Raka.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Në fundjavë, “KUPA E FEDERATËS 2024”

Spektakli i volejbollit në Kupën e Federatës, fillon këtë fundjavë! Këtë fundjavë nis edicioni i ri i Kupës së FVK-së,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img