17,07,2024

Miratohet Korniza Afatmesme Buxhetore për vitin 2025-2027

Must Read

Këtë të enjte është mbajtur mbledhja e Kuvendit të Komunës e kryesuar nga Kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Xhavit Zariqi, ndërsa në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu, drejtor të drejtorive komunale si dhe anëtarë të kuvendit.

Në këtë mbledhje është miratuar Korniza Afatmesme Buxhetore 2025-2027. Me një fjalë rasti të pranishmëve i është drejtuar Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu. Ai ka thënë se qershori është muaji kur nisim planifikimet e hershme buxhetore për vitet pasrendëse, me organizim të konsultës publike si nga ekzekutivi ashtu edhe nga legjislativi, për të vënë kornizat e qëndrueshme investimore, në kuadër të Kornizës Afatmesme Buxhetore 2025-2027.

“Korniza Afatmesme Buxhetore, paraqet një bazë mbi të cilën ndërtohet projeksioni i së ardhmes, ngrihen e zhvillohen nisma me rëndësi publike, projekte që i japin kahe të reja zhvillimi – Ferizajt. Qeverisja jonë, edhe në këtë dokument, ka pasqyruar vizionin e saj transformues, qasjen tonë reformuese e investive për çdo sektor e fushëveprimtari në kompetencën komunale. Ky dokument, është pra produkt i një mendësie qeverisëse transformuese dhe kërkesave qytetare të prezantuara në kontaktin tonë të drejtpërdrejt, për hartimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore.
Ferizaj bën dallim mes qendrave tjera në gjithë vendin, sa i takon investimeve publike. Ferizaj, është shembulli i suksesit dhe transformimit rrënjësor, guximit, profesionalizmit e veprave publike madhore që sot e në të ardhmen, po merren e do të merren si referencë në gjithë vendin.

Ferizaj, nuk njeh pengesa, nuk njeh dorëzimin e ndalimin e punëve publike, për të mirën e qytetarëve. Ferizaj ka rritur standardin e punëve publike në gjithë Republikën, e gjithashtu kemi rritur edhe pritshmëritë e ferizajasve. Ata presin zhvillimin në çdo ditë të punës sonë, ata presin transformimin për të cilën dhanë besimin, ata presin ecjen përpara, hapat e së cilës bashkë po i bëjmë. Qyteti ynë dhe fshatrat e Ferizajt, kanë njohur për këto 7 vite të qeverisjes sonë, ndryshimin më thelbësor, transformimin më të plotë, përmirësimin më të ndjeshëm, përmes vargut të pafund të projekteve, veprave publike që ideuam e realizuam përgjatë këtyre viteve. Ferizaj nuk është më i njejtë, nga dhjetori i vitit 2017 e gjer më sot. Atë e thotë qartë çdo zë i ferizajasve e përtej qytetit tonë. Kjo është dëshmia më kuptimplote e rrugës sonë të drejt, duke përkthyer besimin e qytetarëve, në mirëqenie e zhvillim për të gjithë”, ka thënë Kryetari Aliu.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se në planifikimin buxhetor të Kornizës Afatmesme Buxhetore 2025-2027 për vitin 2024 në kategorinë e investimeve kapitale janë buxhetuar 11,337,196.00€ kurse për vitet pasuese 2025, 2026, 2027, janë planifikuar 12,102,172.32€, 12,703,173.24€, përkatësisht 13,138,569.27€.

“Qeverisja jonë fokus bazë në projektet që kemi inicuar e planifikojmë për të ardhmen, ka të gjelbërtën. Orientimi ynë, është i qartë, përmes projekteve masive të gjelbërta, që kemi ideuar e tashmë me ritëm të lartë, po vazhdojmë punën për jetësimin e tyre. Zgjerimi dhe rregullimi i Parkut të Lirisë po ndodh, për t’i dhënë ferizajasve, shumëfishin e hapësirave të reja të gjelbërta e vet qytetit një frymëmarrje të re. Po kështu, Kodra e Sherretëve, është një tjetër storie e punës me përkushtim, për ta transformuar këtë hapësirë, në një ballkon të gjelbërt të qytetit, me infrastrukturën më moderne, me hapësirat e bollshme, për sport e rekreacion, unik si masiv i gjelbërt e i përplotësuar me infrastrukturë, në gjithë vendin.
Një park i ri i shtohet qytetit, edhe me zhvendosjen që do të ndodh së shpejti në objektin e ri pothuajse të përfunduar të Kompanisë “Pastërtia”, duke i dhuruar ferizajasve, qindra metra më shumë, hapësirë të gjelbër pranë zonës qendër të qytetit.
Qeverisja jonë, tash e sa kohë po zbaton edhe projektin tjetër unik, atë të miniparqeve, sipas konceptit “Pocket park” ku deri më tani, dhjetëra hapësira publike, në qytet e fshatra, janë transformuar në ishuj të gjelbër, kënde rekreacioni e sheshe të gjelbërta në qendër të qytetit dhe fshatit.
Në këtë pikëpamje, edhe për projektin e rregullimit të Tregut të Gjelbër, kemi përfunduar projektin detal e aktualisht jemi në fazën e shqyrtimit të mundësive për bashkëfinancim me donatorë, të kësaj vepre të kushtueshme e madhore, me rëndësi të veçantë për bashkëqytetarët tonë. Po kështu, krahas masiveve të gjelbërta e transformimit infrastrukturor, kemi projektuar edhe rregullimin e shëtitores rreth shtratit të lumit nga ura e Dudit deri te Ura e Islamit, hapësirë e re kjo, në arteriet qarkulluese për qytetarët tonë”, tha Aliu, përderisa ka shtuar se në fushën ku suksesi është sinonim i Ferizajt, infrastrukturën rrugore, janë ideuar projekte të reja, po kështu edhe për të vijuar me ritme të larta, punën në projekte që tashmë kanë arritur në stade të larta progresi.

“Vepra madhore infrastrukturore, që paraqet vizionin tonë më të qartë transformues – Nënkalimi për vetura dhe këmbësorë tek Stacioni Policor në Ferizaj, tashmë ka përfunduar gjysmën e punëve, për të vijuar suksesshëm e me dinamikë të shtuar edhe në gjysmën tjetër, drejt përfundimit, vepër kjo që i jep dimension krejt të ri zhvillimi Ferizajt në çdo cep të tij, duke qenë burimi nga ku shpërndahen kapilarët e zhvillimit ekonomik, qarkullimit rrugor, lidhshmërisë me qendrat ndër-urbane e dobitë e drejtpërdrejta që sjell kjo vepër për lëvizjen e ferizajasve. Po kështu, qendrës së qytetit, i japim dimension të ri zhvillimi, me rikonstruktimin e plotë të rrugëve “12 Qershori” e “Tahir Sinani” , për të vijuar edhe me projektin madhor që kemi ideuar, atë të ndërtimit dhe rregullimit të sheshit nga rrethrrotullimi i rrugës “Madeleine Albright” deri tek Teatri i Qytetit – mijëra metra hapësirë e re qarkulluese, shtojcë e sheshit qendror të qytetit, mundësi e jashtëzakonshme jo vetëm për qytetarët e familjet ferizajase, por edhe për biznesin”, tha Aliu.

Kryetari Aliu, ka folur edhe për projketet e infratukturës, për projketet që janë realizuar, por edhe për projketet që pritete të realizohen në të ardhmën.

“Asfaltimi i rrugëve të mbetura, rregullimi i trotuareve, investimet në infrastrukturën nëntokësore si në Neredime të Epërme, Bablak, Mirash, Tërrn, Muhoc, Prelez i Jerlive, Komogllavë, Zaskok, Balaj, Dremjak, Cërnillë, Surqinë, Gaçkë – Topojan, Varosh, Nikadin, Fshat i Vjetër, Rahovicë, Talinoc i Muhaxherëve, Greme, Sazli, Koshare, Lloshkobare, Kosinë, Pleshinë, Sojevë, Zllatar, Dardani, Rakaj, Doganaj, Softaj, Mirosalë, Gurëz e fshatra të tjera, pa lënë anash rrugicat e qytetit, investimet në infrastrukturën nëntokësore në qytet, të gjitha të paraqitura detajisht në Kornizën Afatmesme Buxhetore 2025-2027, flasin qartë për qasjen që ka qeverisja jonë, për shpërndarjen e investimeve kapitale, barabarësisht, në gjithë territorin e Komunës sonë.

Tashmë, është gati edhe ndërtesa e re e Stacionit të Autobusëve në Ferizaj, një projekt me rëndësi të veçantë, i cili së shpejti do të funksionalizohet me kapacitetin e saj të plotë, e po kështu, kemi nisur tashmë procedurat, me synimin e qartë që ta realizojmë trafikun urban në Ferizaj”, ka potencuar Aliu.

Kryetari Aliu, ka folur edhe për investimet në fushën e arsimit, kulturës, rinisë dhe sportit, zhvillimit ekonomik, fushën e bujqësisë, fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, por edhe në fushën e shërbimeve publike.

Pas fjalimit të Kryetarit Aliu, pati diskutime pro-et contra në lidhje Kornizën Afatmesme Buxhetore 2025-2027, por me shumicë votash është bërë aprovimi i saj.

Në këtë mbledhje u bë edhe emërimi i dy anëtarëve të komisionit përzgjedhës nga Kuvendi i Komunës për zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave. Drejtori i Drejtorisë së Arsimit Afrim Llabjani, për këtë komision propozoi Bashkim Bytyçin si kryetar i komisioni, ndërkaq Mendehie Lekaj-Rexhaj si anëtare e këtij komisioni.

Ndërkaq drejtori i Urbanizimit Arbër Bytyqi, ka bërë propozim-vendimin për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal 2025-2033. Sipas Bytyqit, qëllimi i hartimit të Planit Zhvillimor Komunal është që të bëhet planifikimi i hapësirës, në kontekst të ndryshimeve të bëra dhe harmonizimin e tyre me nevojat dhe mundësit reale për të arritur kushtet optimale të zhvillimit dhe planifikimit hapësinor.
Po në këtë mbledhje u bë edhe zëvendësimi i dy anëtarëve nga komisioni i rrugëve ku u vendos që të jetë Ardita Fazliu si dhe Enis Muharremi.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohet një person për përdorim të armës

Policia e stacionit në Ferizaj me datën 15.07.2024 rreth orës 23:30 ka pranuar një informacion se në rrugën  ‘’Vëllezërit...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img